Nga: Lutfi DERVISHI

Ne jetojmë në një rajon që prodhon histori më shumë se ç’është në gjendje të konsumojë, por dita e sotme mund të quhet historike. Komisioni Europian ka paraqitur në Parlamentin Europian në Strasburg, strategjinë në lidhje me 6 vendet e Ballkanit.
Eshtë ditë historike se Kosova trajtohet në një dokument zyrtar si kandidat potencial për anëtarësim.
Strategjia e paraqitur sot bën të qartë se, Mali i Zi dhe Serbia janë në radhën e parë me procesin e anëtarësimit. Kanë hapur bisedimet dhe po “negociojnë”. Konfirmim i progresit të këtyre dy vendeve është vizita që do të zhvillojë këtë javë komisioneri Hahn në Podgoricë dhe Beograd.
Në radhën e dytë ndodhet Shqipëria dhe Maqedonia. Nëse do të ketë rezultate, dhe bëhet fjlaë për rezultate konkrete, këtë pranverë komisioni mund të rekomandojë hapjen e negociatave.
Në radhën e tretë janë Kosova dhe Bosnjë – Hercegovina.
Rajoni është rrethuar nga vende anëtare të BE-së, por nuk “dorëzohet lehtë”. Për t’u anëtarësuar dera është e hapur, por duhet t’i lëvizë vetë këmbët. Ndihma nga BE nuk mungon, por duhen sakrifica. Kryefjala është “reformë”.
Entuziazmi i njerëzve për Unionin është i lartë, por jo edhe i elitës politike.
Anëtarësim nuk do të thotë vetëm – negociata qeveritare, por edhe gjithëpërshirje shoqërisë.
Në dhjetor të vitit 1990, studentët dolën në protesta për të rrëzuar regjimin komunist me parrullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Askush nuk e kishte menduar që 30 vjet nuk do të mjaftonin për t’u bërë si Europa.
Nëse Shqipëria hap negociatat këtë vit, nga përvoja e vendeve të tjera, duhen afro 10 vite për t’i përfunduar. Afro 40 vjet në tranzicion.
Një në tre shqiptarë gjatë këtyre 3 dekadave, afro 1 milionë e ka zgjidhur individualisht integrimin në Europë, – ka zgjedhur të jetojë në vende të BE-së. Shqiptarët në Shqipëri presin reformat e premtuara dhe transformimin e dëshiruar. Presin jetë më të mirë.

Pse kemi mbetur pas? Çfarë do të thotë strategjia e sotme për shqiptarët? Cilat janë shanset e Shqipërisë për të ecur më shpejt.27.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: