TIRANE– Opozita ka thyer bojkotin për t’iu bashkuar komisioneve parlamentare ditën e sotme. Deputetët e të gjitha forcave politike, PS, PD dhe LSI, kanë marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Komisionit të Integrimit, ku ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin prezantoi raportin e Komisionit Europian.

Në fjalën e saj, ambasadorja Vlahutin u ndal tek arritjet kryesore të vendit tonë, në përpjekje për të përmbushur objektivat.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi dhe vettingu, ambasadorja Vlahutin tha se duhet arritur progres serioz sa i takon dënimit të zyrtarëve të korruptuar.

“Shqipëria ka shënuar progres sa i takon luftës së trafikut të drogës. Ndërsa lufta kundër krimit mbetet sfidë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i takon dënimit të zyrtarëve duhet progres serioz. Komisioni Europian vëren padrejtësi ndaj njerëzve sa i takon çështjeve ë pronës. Kjo çështje duhet të ketë një zgjidhje tërësore. Raporti i KE ndalet tek 5 pikat kryesore, por duhet vullnet politik për të ecur përpara në përmbushjen e tyre”, u shpreh ambasadorja Vlahutin.

“Shqipëria shihet si model në rajon për procesin në vazhdim të vettingut, së dyti për lëvizjet që janë bërë kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, së treti, marrëveshja 17 majit tregoi që polarizimi politik mund të tejkalohet në kohë kritike për vendin dhe së katërti përparimi i bisedimeve dypalëshe me Greqinë”, tha ajo.

Duke folur në Komisionin e Integrimit, kryediplomatja e BE-së në Tiranë thotë se reformat dhe thellimi i tyre duhet të vazhdojë.

Megjithatë, ambasadorja paralajmëroi se sfidat që mbeten përpara janë akoma më të mëdha. Ajo përmendi zbatimin e ligjit antimafia, një ligj për financimin e partive politike, por kryesore mbetet ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta.

“Numri i ndjekjeve penale mbetet ende i ulët dhe kjo duhet të përmirësohet dhe kjo do të ndodhë kur të kemi SPAK-un dhe kur një pjesë e gjyqësorit të jetë rivlerësuar. Komisioni do të shohë me kujdes ndjekjet penale dhe dënimet për korrupsionin dhe kjo do të kërkojë një përpjekje të madhe”, deklaroi Vlahutin.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb