Bashkimi Evropian filloi zyrtarisht përdorimin e çertifikatës digjitale për COVID-19, e krijuar për të bërë udhëtime të sigurta dhe të lehta për të vaksinuarit plotësisht brenda vendeve anëtare të BE-së – por të paktën një kompani ajrore thotë se aplikacioni ka hasur në probleme në ditën e parë të përdorimit.

BE-ja krijoi çertifikatën dixhitale – të disponueshme si një aplikacion në telefonat inteligjentë ose në format letre – për të ndihmuar përdoruesit të përjashtohen nga kufizimet si karantina. Sipas rregullave të BE-së, vendet anëtare duhet të mos vendosin kufizime shtesë të udhëtimit për ata që janë të pajisur me çertifikatë nëse masat nuk janë të nevojshme dhe proporcionale për mbrojtjen e shëndetit publik.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, tha se 26 vendet anëtare po lëshojnë çertifikata duke filluar nga e enjtja dhe tashmë, janë lëshuar më shumë se 200 milionë certifikata.

Por në praktikë, çertifikata duket se ka disa anomali. Një zëdhënëse e shoqërisë ajrore Brussels Airlines, Maaike Andries, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se kodi digjital QR në çertifikatat COVID-19 me sa duket nuk është ende i lidhur me destinacionin e udhëtarit. Kjo do të thotë që linjat ajrore duhet të kryejnë ende kontrolle vizuale për t’u siguruar që udhëtari i plotëson kërkesat e zonës në të cilën po udhëton.

Për sa i përket lehtësimit të udhëtimit me çertifikatën digjitale të vaksinave, zonja Andries tha se, “fatkeqësisht, nuk kemi arritur akoma në atë pikë”.

Një zëdhënës i aeroportit të Brukselit tha se pasagjerët po këshillohen të kontrollojnë plotësisht dokumentat që u duhen në destinacionin e tyre për të demonstruar prova të vaksinimit, ose provë të një testi negativ COVID-19 nëse nuk janë të vaksinuar plotësisht./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb