Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç ka thënë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja është duke kërkuar sqarime urgjente lidhur me vendimin e së martës të marrë nga autoritetet e Kosovës për të vendosur tarifa 10 për qind në importet e mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

“Këto masa janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. Bashkimi Evropian pret që Kosova, që aktualisht është kryesuese e CEFTA-s të përmbushë plotësisht obligimet e kësaj organizate dhe të tërheqë masën”, ka thënë Kocijançiç.

Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007.

Përveç tjerash zëdhënësja e BE-së ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës dëmton bashkëpunimin rajonal, dhe nuk është në linjë me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që ka Kosova me BE-në.

Qeveria e Kosovës ka vendosur atë që e ka cilësuar si masë mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej 10 për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën”, ka njoftuar ekzekutivi përrmes një komunikate për media.

Përjashtim nga kjo masë do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb