Bashkimi Evropian (BE) i bëri thirrje Izraelit të ndalojë rrëzimin e shtëpive palestineze dhe në vend të kësaj të lehtësojë qasjen humanitare në komunitetet palestineze.

Në një deklaratë me shkrim, zyra e departmentit të politikës së jashtme të Komisionit Evropian tha se blloku kundërshton me vendosmëri “politikën e vendbanimeve të Izraelit dhe veprimet e ndërmarra në atë kontekst, të tilla si transferime të detyrueshme, dëbime, rrëzim dhe konfiskim të shtëpive”.

Sipas BE-së, rreth 60 palestinezë, 35 prej të cilëve fëmijë, janë zhvendosur që kur forcat izraelite konfiskuan dhe rrëzuan 46 struktura që u përkisnin familjeve palestineze në Hamsa al-Foqa në Luginën e Jordanit.

Më tej, theksohet se zhvillimet e fundit janë një “prirje për të ardhur keq e konfiskimeve dhe rrëzimeve gjatë vitit të kaluar”, që Izraeli vazhdoi pavarësisht shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19).

“Veprimet e Izraelit BE i konsideron të paligjshme në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe si një pengesë për një zgjidhje të zbatueshme me dy shtete”, thuhet në deklaratë.

Dokumenti përsëriti thirrjen e mëparshme të bllokut evropian ndaj Izraelit për të ndaluar të gjithë zgjerimin e vendbanimeve “në Kudsin Lindor dhe në zona të ndjeshme të tilla si Har Homa, Givat Hamatos dhe E1”.

I inkurajuar nga e ashtuquajtura “marrëveshja e shekullit” e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, në muajin maj të vitit të kaluar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se qeveria e tij do të aneksojë zyrtarisht Luginën e Jordanit dhe të gjitha blloqet e vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsi Lindor, konsiderohet si territor i pushtuar sipas ligjit ndërkombëtar, në këtë mënyrë duke i bërë të paligjshme të gjitha vendbanimet hebreje atje.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb