Bashkimi Evropian ka rënë dakord të paguajë 15.50 euro për dozë për vaksinën e Pfizer-BioNTech kundër koronavirusit, tregon një dokument i brendshëm i BE-së i parë nga Reuters.

Çmimi, i cili është konfidencial dhe u negociua për një total prej 300 milionë doza, është pak më i ulët se 19.50 dollarë për dozë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ranë dakord të paguanin për një dërgesë të parë prej 100 milionë doza të së njëjtës vaksinë.

Dokumenti i Bashkimit Evropian i datës 18 nëntor po qarkullonte brenda pasi BE-ja njoftoi marrëveshjen e saj të furnizimit me Pfizer-BioNTech më 11 nëntor.

Rregullatori i ilaçeve i BE-së, pritet të vendosë të hënën për miratimin e vaksinës Pfizer, pasi autorizimi është lëshuar tashmë në disa vende, sikurse në Britani dhe në SHBA.

Të enjten, sekretarja e shtetit belg për buxhetin, Eva De Bleeker, publikoi në Twitter një listë me çmimet që Belgjika do të paguante kompanitë farmaceutike për vaksinat e tyre të koronavirusit. Ajo e tërhoqi postimin menjëherë pas publikimit.

Në atë listë, vaksina Pfizer thuhej se i kushtonte Belgjikës 12 euro për dozë, duke bërë që shumë njerëz të besojnë se ishte çmimi i plotë i rënë dakord nga BE-ja.
Vaksinat e tjera gjithashtu u treguan me çmime më të ulëta se çmimet e zbuluara nga burimet e BE-së.

“Është gjithmonë një çmim total dhe një çmim gjatë dorëzimit”, i tha Reuters një zyrtar i BE-së i përfshirë në bisedime me prodhuesit e vaksinave kur u pyet për të sqaruar ndryshimin midis çmimeve të BE-së dhe Belgjikës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: