Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj kreut të agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse, GRU dhe ndaj një zyrtari të kësaj agjencie, për përfshirjen e tyre në sulmin kibernetik të vitit 2015, ndaj Dhomës së Ulët të Parlamentit të Gjermanisë.

Në gazetën zyrtare të BE-së u publikuan të enjten emrat e personave dhe entiteteve që janë sanksionuar nga blloku dhe u tha se ata “janë përgjegjës për përfshirjen” në sulmin kibernetik ndaj sistemit të informacionit të Bundestagut. Ky sulm u tha se ka ndodhur në prill dhe maj të vitit 2015.

Gjatë sulmit, sistemet operative kishin dalë jashtë funksionit për disa ditë dhe një “sasi e konsiderueshme” e të dhënave ishin vjedhur, teksa emailet e disa anëtarëve të parlamentit – përfshirë edhe atë të kancelares Angela Merkel- ishin “prekur” nga ky sulm tha Këshilli i BE-së.

Entiteti, të cilit i janë ngrirë asestet, është njësi brenda agjencisë GRU, zyrtarët e së cilës kanë marrë pjesë në sulmin kibernetik ndaj Bundestagut, tha BE-ja.

Dy zyrtarët që janë sanksionuar, do t’iu ngrihen asetet dhe nuk do të mund të udhëtojnë në BE. Njëri nga është thënë se është Dmitry Badin, të cilin BE-ja e përshkruan si pjesë të ekipit që ka kryer sulmin kibernetik.

BE-ja po ashtu ka sanksionuar Igor Kostyukov, duke thënë se ai, si kreu i GRU-së, është përgjegjës për sulmet kibernetike që ka kryer një njësit i agjencisë që ai udhëheqë.

Blloku evropian tha se kjo njësi e GRU-së po ashtu ka marrë pjesë në tentimin për të hakuar rrjetin e Wi-Fi në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike në prill të vitit 2018.

Kostyukov edhe më herët është sanksionuar nga BE-ja për shkak të rolit të tij në helmimin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia me agjentin nervor Noviçok më 2018 në Britani.

Prokurorët në Gjermani, ndërkaq, kanë lëshuar një urdhër-arrest për Badin, i cili kërkohet edhe nga autoritetet amerikane, pasi dyshohet se bën pjesë në grupin e hakerëve, të njohur me emrin Fancy Bear.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat e BE-së dhe Gjermanisë se qëndron prapa sulmeve kibernetike ndaj Parlamentit gjerman./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb