Parlamenti Evropian ka kërkuar një hetim ndërkombëtar “të pavarur dhe ta paanshëm” për vrasjen më 2 tetor të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi duke paralajmëruar gjithashtu se sanksionet mund të vendosen nëse agjentët sauditë shpallen fajtorë në vrasjen e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një rezolutë jo detyruese, Parlamenti Evropian dënoi “në kushtet më të forta të mundshme” raportimet për torturën dhe vrasjen e gazetarit Khashoggi në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Po ashtu kërkoi që përgjegjësit të “identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, ndërsa vendet anëtare të BE-së të “qëndrojnë të gatshëm për të vendosur sanksionet e synuara” nëse agjentët sauditë zbulohen fajtorë në vrasjen e tij.

Mocioni i listuar ndalon vizat dhe ngrin asetet si sanksione të mundshme ndaj individëve sauditë dhe mbretërisë, duke këmbëngulur se çdo sanksion nuk synon vetëm autorët, por edhe organizatorët dhe nxitësit e “këtij krimi”.

Kolumnisti i “Washington Post”, Khashoggi për herë të fundit u pa më 2 tetor kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Pas disa ditëve të mohimit për fatin dhe vendndodhjen e tij, zyrtarët sauditë javën e kaluar pranuan se gazetari ishte vrarë brenda konsullatës.

Sipas agjencisë zyrtare saudite të lajmeve, Princi i Kurorës Saudite, Mohamad bin Salman, pati një takim të një komiteti të krijuar, i cili ngarkohet me ristrukturimin e organit të inteligjencës saudite.

Midis vrullit të vazhdueshëm mbi vrasjen e Khashoggit, Mbreti Saudit Salman bin Abdulaziz ka shkarkuar zv/kreun e intelegjencës saudite, si dhe një ndihmës të lartë, duke urdhëruar edhe arrestimin e 18 të dyshuarve në këtë rast.

Ndërkohë, udhëheqësit botërorë vazhdojnë t’u bëjnë thirrje autoriteteve saudite që të sqarojnë rrethanat e vrasjes së gazetarit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb