KOSOVË-Ekspertët evropianë identifikojnë Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën si dhe rajonin e Sanxhakut si potencial të rrezikut terrorist. Sipas vlerësimeve të tyre nga këto zona supozohet se vjen një numër i madh i të rinjve të radikalizuar të cilët kanë vendosur t’iu bashkohen luftërave Siri dhe Irak.
Bashkimi Evropian po bashkëpunon me përfaqësuesit e shteteve të rajonit dhe atë në të gjitha nivelet përfshirë atë ministror si dhe të shërbimeve të sigurimit. Në këtë kuadër, zyrtarët evropianë konfirmojnë se po zhvillohen edhe vizita të ekspertëve të Brukselit në rajon, me qëllim të shtimit të aktiviteteve në parandalimin dhe zbulimin e terroristëve që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve si në BE ashtu edhe në Ballkan.

Një zyrtar evropian i ngarkuar në çështje antiterrorizmi ka deklaruar se Ballkani nuk mund të jetë imun ndaj terrorizmit.

“Ka zona ku është në rritje radikalizimi fetar, kur për vota kanë vepruar disa imamë ekstremë dhe radikalë. Ndërkohë vlerësohet se 500 të rinj nga rajoni janë rekrutuar dhe kanë shkruar për të luftuar në Siri dhe Irak. Ata janë kryesisht nga Bosnja apo Kosova”, ka deklaruar zyrtari.

Megjithatë ky zyrtar pranon se ana pozitive është se shumica e popullatës nuk përkrah këtë radikalizëm fetar dhe se autoritetet e këtyre vendeve janë shumë aktivë në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe bashkëpunojnë me autoritetet e sigurisë së vendeve të BE-së”.

Ekspertët po punojnë edhe në thyerjen e propagandës së imamëve radikal që influencojnë të rinjtë,ndërsa në këtë kuadër bashkëpunimi më i madh vjen nga hoxhallarët e moderuar. Këta të fundit, sipas vlerësimeve të ekspertëve evropianë kanë përkrahje në shumicën e popullatës.

Rajoni i Ballkanit përfaqëson edhe elementë të rëndësishëm për luftë të suksesshme kundër terrorizmit në Evropë edhe për shkak se konsiderohet si vend tranziti apo burimi i trafikimit të armëve për terroristët në Evropën perëndimore, raporton RTK.

Ekspertët e BE-së e konsiderojnë Ballkanin si zonë me krim të lartë të organizuar, i cili, siç thuhet është i lidhur edhe me strukturat politike.

“Krimi i organizuar ushqen edhe terrorizmin edhe pse krimi i organizuar nuk ka ndonjë ideologji. Aty ku ka krim të organizuar dhe funksionim jo të duhur të shtetit aty edhe grupet ekstremiste gjejnë më shumë hapësirë veprimi”, thonë ekspertët e BE-së.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: