Kosovës i duhen reforma në fushat ekonomike, sociale dhe shëndetësore, që nuk janë pengesë për rritjen dhe konkurrueshmërinë. Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët për dialogun ekonomik dhe financiar të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Sipas deklaratës, rritja ekonomike e Kosovës u thye në recesion të konsiderueshëm, për shkak të mbylljeve të lidhura me pandeminë COVID-19.

“Brenda afateve të kërkuara është siguruar ndihmë mjekësore dhe financiare për luftimin e pandemisë COVID-19. Palët u pajtuan që këtë vit dialogu për politika ekonomike të fokusohet në mbështetjen e rimëkëmbjes afatmesme ekonomike dhe qëndrueshmërinë e rajonit, teksa përkohësisht, përmes masave transparente fiskale dhe financiare, vazhdohet puna për zbutjen e ndikimit të pandemisë mbi rritjen, punësimin dhe kohezionin social. Sa i përket situatës ekonomike të Kosovës për vitin 2020, rritja ekonomike u thye në recesion të konsiderueshëm për shkak të mbylljeve të lidhura me pandeminë dhe kufizimeve të udhëtimeve. Në të njëjtën kohë, pengesat madhore strukturore vazhdojnë të jenë sfiduese ndaj rritjes dhe konkurrueshmërisë”, thuhet në deklaratë.

BE thotë se Kosova duhet ta trajtojë formalizmin e ekonomisë.

“Sa i përket rritjes së konkurrueshmërisë dhe rritjes afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse, Kosova duhet që veçanërisht të trajtojë formalizmin e ekonomisë dhe konkurrueshmërinë e ulët të sektorit privat. Të shfrytëzojë potencialet për energji të ripërtërishme dhe për kursim të energjisë dhe ta hapë plotësisht tregun e energjisë si dhe të përmirësojë cilësinë dhe relevancën e sistemit arsimor për rritjen e punësimit dhe për zbutjen e mospërputhjeve të shkathtësive”, përfundon BE.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: