Nga: Ilir Kalemaj*
Bashkimi Europian si projekt dhe ide ka nisur mjaft më përpara materializimit të tij në emër, formë dhe strukturë sikundër ndodhi në Maastricht në 1992. Duke qenë se është një entitet ekonomik-social-politik ‘suigeneris’nuk është themeluar në mënyrë klasike nëpërmjet një kushtetute apo akti themeltar dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe në një kontinent ku lufta ndër-shtetërore ka qenë rregulli dhe paqja përjashtimi. Veçanërisht për t`u shënuar kanë qenë përplasjet mes francezëve dhe teutonëve gjermanë për dominim tëEuropës kontinentale, luftëra të cilat kanë pasur një dimension shumë më të gjerë se ai rajonal, madje lufta e parë dhe e dytë kanë qenë globale qoftëpërsa i përket teatrit të veprimtarisë luftarake, qoftë për aleancat apo efektet.
Gjithsesi ky projekt rrënjët e të cilit mund t’i gjejmë te shkrimet e hershme tëErazmit të Roterdamit, Mazinit, ViktorHygosë dhe të tjerëeuropeistëve të thekur, mundi të materializohej me baballarë vizionarë teknokratë apo politikanë karriere të tillë si Mone, Shuman, Adenauer, De Gasperi e deri te më të afërmit në kohë si ZhakDelors arkitekti i Aktit Unik Europian etj. Pavarësisht sukseseve që arriti një traktat fillestar i qymyrit dhe çelikut në vitin e largët 1952, i pasuar më pas me traktatet e Romës, apo traktin e Bashkimit në 1965 (MergerTreaty), Aktin Unik Europian të 1995, traktatin e Mastriktit në 1992, atë të Amsterdamit në 1997, apo atë tëNisës në 2001, ka pasur dhe dështime të dukshme duke filluar me dështimin e një traktati mbrojtjeje të përbashkët në 1995, “kriza e karriges bosh” të Luksemburgut ku presidenti i atëhershëm francez De Gol u bë shkak, sikundër dhe për bllokimin dy herë të aplikimit të Britanisë së Madhe, që u pranua më së fundmi vetëm në 1973-shin, pasi De Gol ishte tërhequr në jetën private, deri te më të afërtat si dështimi e referendumit për Kushtetutën Europiane që më vonë solli si zgjidhje zëvendësimin me Traktatin e Lisbonës.
Kriza e viteve 70-të ka pasur në sfond edhe stagflacionin famëkeq që e shkaktoi së paku pjesërisht rritja galopante e çmimit të naftës ndërkombëtarisht pas krijimit të OPEK-ut, papunësisë në masë dhe rënies së konsumit. Por pavarësisht dështimeve të tilla, BE-ja ka pasur forca tëringrihej, të zgjerohej me shtetet e Europës Jugore në vitet 80-të, me Finlandën, Austrinë dhe Suedinë në 1995-ën dhe me dhjetë shtete tëEuropës Lindore në 2004-ën dhe më pas edhe me Bullgarinë, Rumaninë dhe së fundmi Kroacinë. Paralelisht edhe të thellohej, pra të shkonte drejt një konsolidimi të institucioneve, duke përfshirë fuqizimin e disa ekzistuese si Parlamenti Europian, i vetmi zë demokratik, pra i zgjedhur nga qytetarët, që gradualisht fitoi fuqi bashkë-vendimmarrëse legjislative të barabarta me Këshillin e Ministrave apo rolin në rritje të Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Kjo erdhi si rezultat i traktateve të reja, por edhe si rezultat i presionit të brendshëm nga pro-europianistët të cilët përfaqësonin jo vetëm një elitë teknokratësh të zvetënuar, sikundër ekzistojnë mite urbane, por edhe aktorëinfluentë të shoqërisë civile, intelektualë publikë dhe zyrtarë të përkushtuar që i kanë kushtuar jetën profesionale çuarjes përpara të një projekti federal për të arritur gjithnjë e më tepër konturet e një shteti.
Sot BE gjendet e kapërthyer dhe e hapërdarë mes krizave të brendshme dhe të jashtme, të tilla si konflikti Rusi-Ukrainë, kriza greke, kriza me azilantët dhe refugjatët nga vendet e treta, rënia e fuqisë konsumatore dhe plakja e popullsisë, zhvendosja e qendrës gravitacionale gjeostrategjike në teatrin e Azisë Juglindore etj, etj. Përherë e më shpesh, avokatë të projektit europian, po artikulojnë gjithnjë e më zëshëm që Bashkimi Europian duhet të arrijë kompaktin fiskal, pra një politike fiskale të unifikuar dhe të bazuar në një metodologji konkrete sesi ta bëjnë të prekshëm parimin e solidaritetit. Kjo duhet të arrihet nëpërmjet një procesi të ngjashëm me atë të politikës monetare që nisi qysh në vitet 60-70-të me të ashtuquajturin “snakemechanism” për kontrollin e normave të këmbimit të monedhave që vazhdoi dhe mori formë me Mastriktindhe kulmoi me Eurozonën në 2000-shin.
Përndryshe vetë BE-ja është e destinuar të shpërbëhet ose të prapakthehet në një zonë të lirë ekonomike, me treg të përbashkët, por pa aspiruar më tepër. Ngjashëm me organizata rajonale me profil ekonomik si ASEAN, NAFTA, MERCOSUR apo politik si Bashkimi Afrikan. Por BE ka provuar se ka lindur për të qenë shumë më tepër se kaq, përfaqëson një ekonomi të përbashkët që e rendit në majë të klasifikimit botëror (e marrë si PBB e vetme) dhe përfaqëson “fuqinë e butë” më efektive në rrafsh diplomatik dhe përsa i përket influencës në vende të treta, si dhe aleat strategjik i SHBA-së pavarësisht ndryshimeve të konteksteve gjeopolitike apo sfidave të djeshme dhe të sotme.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: