Bashkimi Evropian (BE) ka filluar një veprim ligjor kundër Mbretërisë së Bashkuar për pretendimin e shkeljes së protokollit të marrëveshjes së Brexit-it për Irlandën e Veriut.

Komisioni Evropian njoftoi se i ka dërguar një njoftim zyrtar qeverisë britanike për mospërputhje me “dispozitat thelbësore të protokollit për Irlandën dhe Irlandën e Veriut, si dhe detyrimin e mirëbesimit sipas Marrëveshjes së Tërheqjes (nga BE-ja)”.

“BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar u pajtuan së bashku për protokollin. Ne po ashtu jemi të detyruar ta zbatojmë së bashku. Vendimet e njëanshme dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Mbretëria e Bashkuar mposhtin vetë qëllimin e saj dhe minojnë besimin mes nesh”, tha Maros Shefçoviç, zv/president i Komisionit Evropian.

Shefçoviç tha se Mbretëria e Bashkuar duhet ta zbatojë siç duhet protokollin nëse palët duan të arrijnë objektivat, si dhe shtoi se kjo është arsyeja pse po fillojnë me veprime ligjore.

Më 3 mars, qeveria britanike në mënyrë të njëanshme deklaroi se do të vonojë zbatimin e regjimit të posaçëm tregtar të rënë dakord në vitin 2019 në kuadër të marrëveshjes së Brexit-it.

Sipas marrëveshjes, Irlanda e Veriut mbeti pjesë e regjimit doganor të BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar premtoi se do të zbatojë kontrolle doganore për mallrat që vijnë nga Irlanda e Veriut.

Pavarësisht nga obligimi ligjërisht i detyrueshëm, Mbretëria e Bashkuar ka qenë në mosmarrëveshje me BE-në në lidhje me protokollin e Irlandës së Veriut që nga shtatori i kaluar.

Komisioni Evropian nisi procedurën e shkeljes pas disa raundeve të negociatave të dështuara.

Nëse qeveria britanike vazhdon të shkelë detyrimet e saj, Gjykata e Evropiane e Drejtësisë mund të vendosë një gjobë ndaj Mbretërisë së Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE-ja vitin e kaluar pas 47 viteve anëtarësim/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb