Komisioni Evropian po ecën përpara me planet për rezerva të detyrueshme të gazit për t’i dhënë fund varësisë së Bashkimit Evropian nga karburantet fosile ruse, sipas një projektpropozimi.

”Vendet anëtare të BE-së duhet të sigurojnë që objektet e depozitimit të gazit të mbushen të paktën 90% çdo vit deri më 1 nëntor, pasi ndërprerjet në furnizimin me gaz të gazsjellësve mund të ndodhin në çdo kohë,” thuhet në draftpropozim.

Propozimi, që pritet të publikohet të mërkurën, vjen mes shqetësimeve të mëdha për furnizimin me energji të BE-së pas kërcënimit të Rusisë për të shkurtuar furnizimet me gaz, në përgjigje të sanksioneve të BE-së për pushtimin e Ukrainës.

”Ekzekutivi i BE po planifikon gjithashtu kontrolle për të monitoruar nivelet e përkohshme të ruajtjes së gazit përpara objektivit të nëntorit”, sipas draftit.

Gjermania planifikon masa të ngjashme të cilat do të hyjnë në fuqi në maj.

Propozime të tjera për të siguruar furnizimin me gaz përfshijnë një sistem të detyrueshëm licencimi për vendet anëtare të BE-së.

Në Gjermani, për shembull, disa objekte magazinimi të gazit operohen nga ”Gazprom”.

Kompania shtetërore ruse është akuzuar për nënmbushje të qëllimshme të objekteve të saj të magazinimit. Ekzekutivi i BE-së planifikon gjithashtu të heqë disa tarifa për ruajtjen e gazit për të rritur furnizimin.

Komisioni njoftoi planet për nivele më të mëdha të ruajtjes së gazit në fillim të marsit, si pjesë e përgjigjes së bllokut ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Drafti, ende subjekt ndryshimi përpara propozimit të tij zyrtar, i kërkon Parlamentit Evropian dhe 27 vendeve anëtare të BE-së që të negociojnë dhe miratojnë masat me shpejtësi për shkak të luftës në Ukrainë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: