Qiproja arriti një marrëveshje të hënën me Bashkimin Evropian për ta ndihmuar atë të trajtojë një fluks të madh emigrantësh në ishullin e ndarë të Mesdheut, për të cilin Nikosia thotë se është më i larti për frymë në BE.

Marrëveshja do ta bëjë më të lehtë për Qipron dërgimin e azilkërkuesve të dështuar dhe do të ndihmojë në përmirësimin e ambienteve të saj të mbipopulluara të pritjes.

Republika e Qipros akuzon Turqinë, trupat e së cilës që nga viti 1974 kanë pushtuar pjesën veriore të ishullit, për inkurajimin e një pjese të madhe të fluksit të refugjatëve sirianë dhe të ardhurve nga Afrika Sub-Sahariane përmes Vijës së Gjelbër të patrulluar nga OKB-ja që ndan ishullin.

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga Ministri i Brendshëm qipriot, Nicos Nouris dhe komisionerja e çështjeve të brendshme të BE, Ylva Johansson, të cilët morën pjesë virtualisht.

“Sot është një moment historik për Republikën e Qipros dhe përpjekjet e bëra nga qeveria për të menaxhuar një problem që ka pllakosur vendin tonë,” tha Nouris në ceremoni.

Johansson shkroi në Twitter se marrëveshja do të ndihmonte Qipron të zbatonte “procedurat e azilit në kohë” për të reduktuar ngarkesën, “të vendosë integrim efektiv dhe të përmirësojë efikasitetin e kthimeve”.

Nikosia thotë se 4.6 për qind e popullsisë së vendit janë azilkërkues ose përfitues të mbrojtjes, raporti më i lartë në çdo vend të BE-së.

Memorandumi parashikon veprime në vendet e origjinës, forcimin e strukturave të pritjes e menaxhimit të Qipros dhe riatdhesimin e migrantëve.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Margaritis Schinas tha: “Ne po e kthejmë faqen së bashku… në menaxhimin e një problemi që është bërë shumë i madh, duke krijuar një barrë joproporcionale të menaxhimit në Qipro.”

Ministri i Brendshëm grek qipriot tha se autoritetet nuk mund të përballonin më efektivisht fluksin e emigrantëve të parregullt.

“Shfrytëzimi i sistemit të azilit nga persona që nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare e privon shtetin nga aftësia për të ofruar mikpritje, kujdes dhe mbështetje efektive për ata që kanë nevojë reale”, tha Nouris.

Kërkesat e reja për azil u shumëfishuan në mbi 13,000 vitin e kaluar në Qipro, me një popullsi prej 850,000.

Autoritetet thonë se çdo ditë një numër i madh emigrantësh të parregullt, të udhëhequr nga kontrabandistët, kalojnë vijën e gjelbër prej 184 kilometrash (114 milje) nga veriu, me 85 për qind të azilkërkuesve vitin e kaluar që kanë mbërritur në këtë mënyrë.

“Qipro ka nevojë për solidaritet praktik evropian,” tha Nouris të hënën.

“Instrumentalizimi i emigracionit duhet të ndalet.”

Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve që mbërritën në Qipro në janar u rrit me 48 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Kombësitë më të përfaqësuara ishin nga Republika Demokratike e Kongos, Siria dhe Nigeria.

Shefi i Frontex Fabrice Leggeri tha javën e kaluar se ishulli po përballet me një “sfidë të jashtëzakonshme” që kërkon “mbështetje të jashtëzakonshme”.

2b96aae5 7a98 4324 B4ca F66182871266

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb