Komisioni Europian synon të nisë dy procedura ligjore për shkeljen e marrëveshjes së Brexit kundër Britanisë së Madhe, që ka zgjatur në mënyrë të njëanshme një masë doganore specifike për Irlandën e Veriut, thanë burimet europiane.

“Këtë javë, ekzekutivi europian mori mbështetjen e vendeve anëtare, pasi i informoi ata për qëllimin e tij për të filluar këto procedura që nga java tjetër”, tha një nga këto burime.

Në shenjestër të Brukselit, njoftimi nga Londra për një shtyrje të njëanshme të gjashtë muajve, deri më 1 tetor, të kontrolleve të caktuara shumë të diskutueshme mbi mbërritjen e mallrave në Irlandën e Veriut nga ishulli i BM.

Duke denoncuar një shkelje të marrëveshjes së Brexit, BE premtoi të përgjigjej me mjete ligjore, vetëm dy muaj pasi BM u largua zyrtarisht nga tregu i vetëm europian.

Sipas burimeve evropiane, Komisioni synon të dërgojë “një letër njoftimi zyrtar” në Londër për shkeljen e Protokollit specifik për ishullin e Irlandës, të përmbajtur në traktatin e tërheqjes të nënshkruar në fund të vitit 2019.

Në procedurën e dytë, Komisioni pritet, gjithashtu, të nisë aktivizimin e mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, i parashikuar në Traktat, me arsyetimin se BM nuk ka arritur të përmbushë detyrimin e “mirëbesimit” të parashikuar në traktat.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb