NGA GERILINA KODHELI*

E kemi parë gjithmonë si vajza e brishtë, e ëmbël dhe e dashur, e cila ka një stil të veçantë të të kënduarit. Por, ky vit ka qenë viti i ndryshimeve të mëdha për Beatrix Ramosaj. Këngëtarja, e cila numëron disa vjet në skenë ka ardhur më agresive se më parë me projektet e saj të fundit, ndryshim për të cilin është vlerësuar në masë, jo vetëm nga profesionistët e muzikës, por edhe audienca. “Unë vazhdoj të ngelem vajza e ëmbël. Mirëpo duke mos dashur të bëhem e mërzitshme dhe e parashikueshme vendosa të luaja me dualizmin e njeriut në vetvete”, thotë ajo.

Por, ndryshimet e Beatrix nuk kanë qenë vetëm sa i takon imazhit të saj në skenë. Këngëtarja kohëve të fundit ka pasur ndryshime edhe në jetën e saj private. “Bluetooth” ka zbuluar se Beatrix më në fund ka gjetur dashurinë. Djalin që i ka fituar zemrën këngëtarja e ka njohur në universitet, e sipas burimeve në dijeni të këtij raporti është edhe mamaja e këngëtares, që siç duket ka dhënë bekimin e saj.

Persona pranë familjes së Beatrix kanë konfirmuar se këngëtarja është shumë e lumtur, ndërsa mbushet vazhdimisht me lule dhe dhurata nga i dashuri i saj. Në këtë intervistë, Beatrix rrëfen sesa ndikon fama në marrëdhënien e saj të dashurisë me djalin e panjohur për publikun, qëndrimin e mamasë së saj dhe jo vetëm. Teksa po përgatitet për përvojën e saj në “Dancing with the stars”, këngëtarja rrëfen gjithashtu se vazhdon të punojë për projekte të mëdha që lidhen me muzikën.

Beatrix, je përzgjedhur si një nga konkurrentet e “Dancing with the stars”? E prisje?
Kur më erdhi oferta nga televizioni më lumturoi fakti që mu dha një mundësi për të qenë më afër me publikun edhe për të vënë veten time në provë në një tjetër zhanër siç është ai i kërcimit. “Dancing with the stars” është një nga programet më të ndjekura dhe mesa kam parë publiku e ka përqafuar shumë fort si platformë, ndaj mendoj dhe shpresoj të jetë një tjetër sukses në jetën time!

Cili ishte mendimi i parë që të erdhi në mendje pasi more ftesën?
Ftesa nga “Vizion Plus” më erdhi menjëherë pas suksesit që unë kisha në “Top Fest” dhe kjo më bëri të mendoj që isha një personazh në vëmendjen e publikut dhe mundësia që mu dha ishte një mundësi shumë e artë për tu shfrytëzuar, për tu argëtuar dhe për të qenë afër edhe me miq dhe mikesha të mijat të cilët do të marrin pjesë në këtë spektakël.

Cili është raporti yt me kërcimin dhe cili do të jetë partneri që do t’ju shoqërojë?
Unë raportin më të mirë e kam me muzikën e cila ka një harmoni shumë të mirë me kërcimin ndaj unë mundohem t’i gërshetoj të dyja këto sipas ndjesive që të jep muzika dhe ritmet që kërkon kërcimi, përsa i përket partnerit është ende herët për të dhënë një përgjigje.

Veç këtij impenjimi të rëndësishëm, cilat janë planet e tua për muzikën?
Pavarësisht impenjimeve të mija në botën e spektaklit unë vazhdoj të punoj për projekte të mëdha që lidhen me muzikën dhe duke qenë të mëdha, kërkojnë kohë, durim edhe pasion për të cilat po punoj dhe do t’i lançoj së shpejti.

Vera ka qenë e tejmbushur me klipe, por na ka munguar një klip nga Beatrix. Pse?
Vera që lashë pas ka qenë një nga kohët që unë doja t’i përkushtohesha vetëm vetes time. Ishte një zgjedhje e bërë me dëshirë dhe rezultoi të ishte shumë produktive për mua, pasi më mbushi me kujtime dhe me dëshirë të madhe për t’i hedhur në letër.

Gjatë këtij viti jeni vlerësuar me çmime të rëndësishme… Ndjeheni se tashmë keni kaluar në një stad tjetër të karrierës?
Padiskutim që po, vlerësimet e marra në çfarëdo lloj forme të rrisin jo vetëm artistikisht, por të japin dhe një lloj vetëbesimi që unë mundohem ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë pa kaluar në delir.

Dhe në fakt, Beatrix keni ndryshuar dhe imazhin me të cilin jeni prezantuar së fundi. Nga vajza e ëmbël dhe e brishtë dukeni tashmë më agresive në skenë. Pse ky ndryshim?
Unë vazhdoj të ngelem vajza e ëmbël. Mirëpo duke mos dashur të bëhem e mërzitshme dhe e parashikueshme vendosa të luaja me dualizmin e njeriut në vetvete.

Kemi zbuluar se më në fund Beatrix ka gjetur dashurinë… Na trego pak më shumë në lidhje me këtë…
Do të flas për një gjë të tillë kur jetën time private ta bëj publike. Përderisa quhet private preferoj ta mbaj të tillë.

Djali që ju ka rrëmbyer zemrën nuk është një personazh publik. Megjithatë sa ndikon fama juaj në raport?
Teorikisht di që fama prish marrëdhëniet e brishta të dashurisë ndaj do mundohem të jem e kujdesshme në këtë pikë kur të vij momenti.

Mamaja juaj duket se ka përshtypje të mira për të dashurin tuaj. Ka ndikuar ajo në zgjedhjen tënde? Çfarë këshille të jep?
Mund të them që ime më ka një respekt dhe dashuri të madhe për traditën e Shqipërisë së mesme.
Mund të themi se Trixa është në momentin e saj më të lumtur në këtë periudhë?
Mund të themi që ndihem e bekuar.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: