Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli në një konferencë për media për refuzimin e kërkesës së PD nga mazhoranca për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen Becchetti.

Basha deklaroi se 120 milionë eurot ndaj Becchettit do të paguahen nga taksat e qytetarëve shqiptarë, që sipas tij, janë të varfrit në Evropë.

Mes të tjerash, kryedemokrati komentoi dhe kronikën e publikuar mbrëmjen e kaluar nga “Zëri i Amerikës” për mungesën e ilaçeve për fëmijët me leucemi, duke theksuar se “papërgjegjshmëria e këtij kryeministri u kushton atyre 120 milionë euro nga taksat e tyre”.

Pjesë nga deklarata:

Si fillim, është shuma e frikshme prej 120 milionë eurosh që ai dhe shpura e tij kanë vendosur me veprimet e tyre kriminale në kurriz të çdo qytetari shqiptar.
120 milionë euro që qytetarët e shtetit më të varfër në Europë mund t’i përdornin në çdo fushë të hapësirë publike, nga investimet në infrastrukturë, në ndërtimin e çerdheve, kopshteve, shkollave, spitaleve, që mund të shkonin për pensionistët, mund të shkonin në ndihmë ekonomike për shtresat në nevojë, për kompensimin e pronarëve, dhe shumë e shumë cështje të tjera që janë të domosdoshme për familjet shqiptare që sot janë në morsën e çmimeve që rriten dhe varfërisë që shtohet.

Prandaj thotë duhet të harrojmë komisionin hetimor se këto 120 milionë euro në vend që të shkojnë te qytetarët, do të dalin nga xhepat e tyre për të mbuluar këtë humbje kolosale për shkak të luftës së tij personale?

Të harrojmë sepse 120 milionë euro janë sa dy paketat gjysmake që dha për pandeminë për të cilën edhe njëherë FMN-ja konfirmoi fatkeqësisht që kemi vdekshmërinë më të lartë në Europë, ndërkohë që Rama e trajton si histori suksesi…

Ta harrojmë komisionin hetimor, sepse ndërkohë që këto 120 milionë euro do t’u hiqen shqiptarëve, familjet me fëmijët e sëmurë nga leuçemia po përballen me mungesën e ilaçeve kryesore për pacientët e mitur? Dëgjojini dëshmitë tronditëse të nënave që shpenzojnë miliona për të kuruar fëmijët e tyre, në mungesë të barnave nëpër spitale. Gjejeni kronikën e “Zërit të Amerikës”, shihni si familjet zhyten në borxhe për të blerë ilaçet për fëmijët e tyre, ndërkohë që papërgjegjshmëria e këtij kryeministri u kushton atyre 120 milionë euro nga taksat e tyre.

Nuk e harrojmë këtë komision hetimor. Nuk e harrojmë sepse kjo mynxyrë duhet hetuar dhe përgjegjësit e saj duhet të marrin faturën e merituar.

Sepse nuk janë paratë e tyre ato miliona euro që po konfiskohen nga llogaritë e Eurocontrol, ndërkohë që këta gënjejnë duke thënë se nuk do të marrin asnjë kokërr leku. Janë paratë e fermerëve, që punojnë në fushat e Shqipërisë nga mëngjesi deri në darkë, të grave që punojnë në fasoneri me paga të ulëta dhe orare të zgjatura, të inxhinierëve,  të studentëve, të mjekëve, paratë e gjithë shqiptarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb