LONDER – Vetëm pak ditë më parë, më 8 gusht, sipërmarrësi i Francesco Becchetti, i cili akuzohet për pastrim parash në vendin tonë, është parë të kalojë përpara syve të qindra personave. në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër në stadiumin e Leyton Orient.

Becchetti, njëkohësisht pronar i këtij ekipi futbolli historik, që luan në kategorinë e katërt, ka zbritur në fushën e blertë në shoqërinë e trajnerit Ian Hendon, duke përshëndetur fitozet.Fotot e tij janë publikuar nga vetë faqja e Facebookut e klubit sportiv.

Edhe pse u përfol se pronari i Agon e kishte shitur këtë klub futbolli, shfaqja e tij pohon të kundërtën. Nga autoritetet shqiptare pronari i Agon Channel dhe Energji vijon të jete person i shpallur ne kërkim ndërkombëtar.

Prokuroria e Tiranës sekuestroi 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si bllokoi llogaritë bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Francesco Beccheti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigande pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro.

Hetimi për ta nisi hetimi në vitin 2014, ndërsa mbi ta rëndon akuza e “Falsifikimit të dokumentave tё kryer nё bashkëpunim dhe mё shumё se njё herё” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Francesco Beccheti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare konçensionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri. Sipas hetimit, koncensionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchetit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti. Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me shtetasit M.R dhe E. T. Ndërsa një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka.

Po ashtu, rezulton se kompania “Energji”, për të ardhurat që ka përfituar, duhet të paguante detyrimet tatimore. Sipas kontrollit nga Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj, rezulton se “Energji” duhet t’i paguante shtetit një shumë prej rreth 770 milionë lekë të reja detyrime tatimore, të cilat nuk janë paguar. Për këtë arsye, Drejtoria e Tatimeve ka urdhëruar bllokimin e llogarive bankare të “Energji” dhe pagesën e detyrimeve nga llogaritë e saj. Për të shmangur tërheqjen automatike të parave në favor të Drejtorisë së Tatimeve në formën e detyrimeve të papaguara, koncensionari “KGE” i ka bërë pagesat për “Energji” nëpërmjet kompanisë “Cable System”, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liliana Condomitti (nëna e Becchetit). Këto transferta, të cilat arrijnë në miliona euro, janë lejuar në mënyrë të kundërligjshme nga shtetasja Pranvera Gjika, drejtuese në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Ndërkohë, po vijohet me veprimet e tjera proçeduriale në kuadër të këtij proçedimi penal.

Në vitin 2013 Francesco Becchetti hapi “Agon Channel” për publikun shqiptar e dhjetorin e shkuar, pikërisht “Agon Channel Italia”, festa e inaugurimit të të cilit u bë në Milano me të ftuar nderi Nicole Kidman. Në atë mbrëmje galà, Becchetti pohoi se ka investuar në këtë projekt 40 milionë euro, madje pa e pyetur kush, nxitoi të saktësonte “pa marrë borxh në banka”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb