Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se përpjekja për shkarkimin e Presidentit amerikan Donald Trump është jo bindëse.

Gjatë konferencës së tij të fundvitit me gazetarët në Moskë ai tha se procesi për shkarkimin e presidentit është vazhdim i luftës së demokratëve kundër zotit Trump. Ai e krahasoi këtë proces me hetimin e mëparshëm në SHBA rreth një bashkëpunimi të mundshëm të kandidatit Donald Trump me Rusinë, të cilin e quajti të pabazuar.

“Është thjesht vazhdim i luftës politike. Njëra nga partitë që humbi zgjedhjet, Partia Demokrate – po provon mjete alternative për të arritur rezultat duke akuzuar zotin Trump se ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë. Më vonë doli se nuk kishte patur një bashkëpunim të tillë, pra kjo nuk mund të përdorej si bazë për ta shkarkuar presidentin. Kështu që ata dolën me një argument tjetër, me një lloj presioni ndaj Ukrainës,” tha presidenti rus.

Zoti Putin parashikoi se mocioni për shkarkimin e Presidentit amerikan do të hidhet poshtë nga Senati.

Presidenti rus foli edhe për çështje të tjera. Ai tha se Rusia është e gatshme të bjerë dakord mbi një traktat të ri armësh START me Shtetet e Bashkuara, por ndaj propozimeve ruse nuk ka pasur asnjë përgjigje. Ai tha se pa një traktat të tillë, nuk ka asnjë mekanizëm tjetër që do të kufizonte një garë armatimesh dhe se kjo është është diçka e keqe.

Duke folur për ngrohjen globale, zoti Putin tha se Rusia po ngrohet mëse dy herë më shpejt sesa mesatarja globale. Ai shtoi se ngrohja globale mund të kërcënojë disa qytete arktike ruse. Rusia, tha ai, i është përmbajtur marrëveshjes së Parisit që synon të ngadalësojë ngrohjen globale. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se faktorët e ndryshimit global të klimës mbeten të panjohur dhe të vështirë për t’u parashikuar.

Konferenca vjetore për shtyp e zotit Putin është e njohur për kohëzgjatjen e saj. Konferenca e vitit 2008 shënoi një rekord prej katër orësh e 40 minuta./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb