Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka qenë sot pranë Prestige Resort ku ka parë nga afër aksionin e nisur nga IKMT prej tre ditësh për shembjen e këtij resorti. Këlliçi deklaroi se e gjithë kjo që po ndodh është për të shantazhuar mediat.

“Kjo tregon vizionin e kryeministrit. E gjitha kjo bëhet për të shantazhuar News24, Panorama, BalkanWeb dhe për të vënë një media tjetër nën kontrollin e kryeministrit. Është një lajm i keq për vendin tonë. Është një lajm shumë i keq për çdo qytetar shqiptar që tregon që kryeministri nuk njeh limite dhe nuk ka fre në babëzinë e tij për të kontrolluar çdo gjë në këtë vend. Të vjen keq të shohësh këto skena në këtë resort turistik.

Ende kishte punonjës që kërkonin një vendim për prishjen.
I gjithë ky investim po hidhet në erë me tritol për shkak të një komunikimi verbal që po shemb godinën pa asnjë letër bakalli, me një urdhër verbal. Është një absurditet që vetëm një mendje e sëmurë e Edi Ramës mund ta prodhojë. Nëse ka paligjshmëri të shkohet në gjykatë, të merret një vendim ligjor. Nuk ka se si kryeministri të ketë firmosur për lejen dhe institucionet ta kenë njohur procesin e ndërtimit si të ligjshëm dhe një ditë të hidhet në erë”, tha Këlliçi.

Sipas tij, kjo tregon që kjo media është jashtë kontrollit të kryeministrit.
“Gjithë qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për këtë që po ndodh. Se si mund të bëhemi ne vend i BE-së me këto lloj ngjarjesh të turpshme që ndodhin, nuk e di.
Është hera e parë që vij në këtë resort, në ndryshim nga kryeministri, i cili ka qenë këtu dhe tani pse media ka ndërruar linjën editoriale e shemb.
Zhvillohet një ditë të shtune, me një qëllim, me një axhendë të caktuar.
Po të pyesni kryeministrin jam i bindur se do të thotë se nuk ka dijeni, por gjithçka është e koordinuar nga Edi Rama.
Skena e krimit më madhore sot në vend është zyra e kryeministrit që firmos çdo ditë vendime të paligjshme”, deklaroi Këlliçi.

Ai tha se qeveria vepron me dy standarde, ndryshe për miqtë dhe klientelën e tij.
“Në sheshin Skënderbej ka kate pa leje, në zemër të kryeqytetit, ku i sheh çdo qytetar, nuk merret asnjë vendim për shembje, por i jepet mundësia, i jepet e drejta e parablerjes. Në këtë rast këtu unë gjykoj, arsyeja pse po vendoset tritol, është që nesër ky biznes të mos ketë mundësinë as të dëmshpërblimit, as një kompensimi financiar. Kjo tregon dy standarde. Për miqtë dhe klientelën e tij ka të tjera standarde”, tha ai.

Ai foli dhe për aksionin e parë në fund të gushtit në Prestige Resort, duke e cilësuar një hakmarrje primitive.
“Është përtej çdo logjike racionale. Është hakmarrje primitive. Për fatin e keq të shqiptarëve ndodh në vigjilje të samitit të BE me Ballkanin Perëndimor.
Një arsye për të protestuar është dhe kjo paligjshmëri që ndodh. I vendoset tritoli vetëm se kështu ia ka dhënë truri kryeministrit”, tha Këlliçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb