Ish-presidenti i Kosovës, kreu i partisë Aleanca Kosova e Re ka fituar gjyqin me gazetën gjermane “Die Welt” dhe të drejtën e një dëmshpërblimi prej 250 mijë eurosh. Bëhet fjalë për një artikull të publikuar nga kjo gazetë, ku shkruhej se Pacolli si biznesmen mashtronte punëtorët nga Kosova, të cilët i dërgon në kantieret e Kazakistanit por nuk i paguante. Por kreu i AKR, një biznesmen i famshëm kosovar paditi për shpifje gazetën duke fituar edhe shkallën e parë. Këtë gjë e ka pohuar vetë Pacolli në faqen e tij të facebook-ut, ku paralajmëron edhe për padi të tjera.

“A ju kujtohet miqtë e mi, se gazeta gjermane ‘Die Welt’ pati publikuar një artikull shpifës për mua dhe kompaninë time në muaj prill të këtij viti (këtë artikull pastaj e ribotuan në Kosovë disa gazeta dhe portale në mënyrat e veta, madje me tituj bombastike pa asnjë verifikim të fakteve apo ndonjë të vërtetë në shkrim), duke u bazuar në një “tregim” të njërit nga Likofci i Drenicës.

Merre me mend të dashur miq, një gazetar gjerman (njëfarë Kálnoky) shkon në fshatin Likofc me marrë dëshmi për mua! Atëherë, duke e lexuar artikullin e tij, më shkonte mendja gjithmonë të disa ashtuquajtur gazetarë të kafeneve të Prishtinës.

Sa i përket ‘Die Ëelt’, unë e pata denoncuar këtë dhe instanca e parë e gjyqit me dha të drejtë dhe i dënoi shpifësit e temave të këtij artikulli me 250 mijë euro. Tani edhe shpifësit e tjerë që promovuan këtë artikull do të gjenden shpejt në bankën e të akuzuarve”, shkruan Pacolli.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: