Nga: ASTRIT KOSTURI*
Gjatë gjithë këtyre 25 viteve të fundit, uzurpatorët e pushtetit të popullit, ata që u vetëquajtën politikanë të kësaj kohe, që lartësoi mëkatin dhe shkeli virtytin, bënë edhe shumë ligje për veten e tyre. Ligje këto, që përbëjnë një pjesë të abuzimit dhe korrupsionit të tyre. Në vargun e dallavereve pafund, ata zyrtarizuan si festa dhe i ligjëruan si ditë pushimi për vete dhe gjithë administratën shtetërore, shumë ditë kalendarike të vitit. Kështu, në Shqipërinë tonë me halle të mëdha, zyrtarët e shtetit fillojnë që të premten me orar të reduktuar dhe vazhdojnë me të shtunën dhe të dielën, si ditë pushimi e ahengu, si ditë relaksi me paratë, makinat dhe favoret që u jep vendi i punës, ndërsa një privati të suksesshëm në këtë xhungël me “rregulla” i duhet të punojë pa orar e stacion pushimi.
Atëherw, meqë për 25 vite me radhë, ditë e natë, kanë shkrirë talentin dhe artin e tyre të gënjeshtrave e premtimeve, që nuk kanë qenë gjë tjetër, veçse mashtrime sa për të ardhur në pushtet, u takon t’a zyrtarizojnë edhe 1 Prillin si ditën zyrtare të tyre.
Duke iu larguar humorit dhe folur seriozisht, vërtetë 1 Prilli duhet të quhet për shqiptarët, si dita e mashtruesve politikanë (kastës politike 25-vjeçare), që ndërtuan sistemin e mashtrimit gjatë këtyre 25 viteve të fundit, për të grabitur pushtetin e popullit dhe në vijimësi, pasuritë e shqiptarëve…!
Dihet nga të drejtët dhe të ndershmit, se gënjeshtra është një prej veseve më të këqija, prandaj nuk inkurajohet e nuk pranohet nga morali i pastër. Gjithë njerëzit me moral dhe mendje të shëndoshë nuk pajtohen me të në asnjë rrethanë e situatë, madje as në lojë.
Për këto arsye, kjo ditë do t’u shkonte për shtat politikanëve “tanë”, të cilët mund ta shpallin edhe festë zyrtare.
Në këtë situatë aspak kreative dhe optimiste për shoqërinë shqiptare, të mbetur në një cak keqkuptimi të madh me politikën e saj, kjo e fundit (palët e saj), kanë zhveshur shpatat dhe përbetohen publikisht për luftë deri në fund midis tyre, ndërkohë që kujdesen për të ruajtur me çdo kusht dhe me çdo çmim llogoret reciproke, nga frika se mos iu qaset ndonjë rrezik që vjen nga jashtë dy oborreve të mëdha partiake…!
Në fakt babagjyshët e politikës e kanë sfiduar atë të Vitit të Ri dhe 1 Prillin. Sepse, ndërsa babagjyshi i Vitit të Ri mbeti vetëm si ëndrra e fëmijëve për ca kohë (pasi më pas u thuhet e vërteta ose e kuptojnë vetë), apo 1 Prilli si lojë e një dite, politika shqiptare mbeti shpresa e kotë dhe mashtrimi sistematik i shqiptarëve.
Këta babagjyshët e politikës erdhën për “ne”, me thesin e premtimeve e mashtrimeve, që në vitin ‘90, por pas kaq shumë vitesh nuk duhet të besohen më, ndryshe edhe populli mbetet jo vetëm në gjumë e ëndrra, por edhe i tallur, i nëpërkëmbur e në skllavëri…!
Bëra këtë paralele mes kësaj dite simbolike dhe harkut kohor çerekshekullor, që të mos lumturohemi prej zhurmës e sloganeve të bukura të politikës, që me reformat pafund mbetet vetëm te forma dhe manovrat për të shpëtuar prej drejtësisë së popullit, që një ditë të afërt do të vendoset. Sepse, edhe fëmijët mrekullohen vërtetë për Vit të Ri nga babagjyshi, apo në lojërat e tyre siç është dita e parë e prillit, por vetëm për ca vite, jo përgjithmonë e në pafundësi, siç po mbetet shoqëria shqiptare prej politikës. Siç duket, akoma nuk e paskemi kuptuar lojën e fëlliqur të politikanëve, që pas çdo sherri e sherrnaje, bien në kompromis dhe në “konsensus politik”…! Apo, akoma nuk jemi në gjendje të kuptojmë, se konsensusi i tyre është pazari i tyre i mbyllur, për ndarjen e pushtetit?! Mjafton vetëm pak vëmendje për të kuptuar se jashtë këtyre pazareve dhe jashtë çdo loje ka mbetur vetëm populli, prandaj LDSH (Lwvizja pwr Drejtwsi e Shqiptarwve) është e bindur se shoqëria shqiptare duhet të kuptojë konfliktin real, që nuk është ai midis krahëve “politikë” e grupeve rivale të dallaveres, por ai mes popullit nga njëra anë dhe klasës politike 25-vjeçare nga ana tjetër.
Përveçse, ujdisë në ato pazaret e tyre, asgjë nuk mund të ndryshojë në moralin e kësaj të ashtuquajture politikë, prandaj duhet të kuptohet masivisht nga populli shqiptar kjo ëndërr e keqe e “demokracisë” dhe ky konflikt real, që Shqipëria të orientohet drejt shinave të sigurta të zhvillimit dhe populli të jetë në misionin e vet!
Për këtë, ashtu si politika e sofistikuar që na mashtron vit pas viti, populli duhet të jetë gjithnjë (i) zgjuar, që do të thotë jo spektator e në gjumin e ëndrrave, por zgjuar dhe me vetëdije!…
Përderisa edhe sot e kësaj dite shtohen ata që duan të ikin nga ky vend (dhe veçanërisht të rinjtë), tregon se jemi në kufijtë e mbijetesës. Se kemi mbërritur në një situatë dramatike, madje edhe tragjike, prej premtimeve e mjeshtërisë së pushtetit, por, edhe për fajin tonë njëkohësisht, prej këtij populizmi të sëmurë, që ushqen këtë teatër të madh me show, servilizma e shfaqje virtuale.
Veçanërisht në këto 25 vjet “demokraci” politika i ka hipur në zverk popullit. Mekanizmat e saj shtetërore dhe fetare, propagandistike e mediatike, kanë përbërë taktikën e pushtetit për të ardhur në fuqi ose për ta ruajtur statuquonë dhe sundimin e tij.
Me një fjalë na e kanë vënë qeleshen sipas kokës!…
Kjo lojë e pakicës, që uzurpoi pushtetin e popullit, solli jo vetëm fikjen e ëndrrave të kaltra për demokracinë, por edhe krizën e thellë shumëplanëshe, vazhdimisht të padukshme prej (pu)shtetit që rrit progresivisht me shpërdorimet e veta, edhe doganat, taksat, tatimet e gjobat.
Kjo krizë gjeneruese dhe lojë e pakicës, mbetet sociale dhe në kurriz të masave popullore, që në vazhdimësi varfërohen prej mekanizmit neoliberal e grabitës të ndjekur me aq pathos nga politika shqiptare.
Edhe në luftë të kishim qenë, nuk do të vinin kaq lajme tragjike e të trishta, kaq informata të përditshme dhe të përnatshme, për humbje njerëzore dhe materiale.
Kjo është ana e dukshme (e padukshmja është e sofistikuar) e një krize të thellë, gjithëplanëshe e shkatërruese për shqiptarët dhe Shqipërinë, krizë shpirtërore dhe identiteti ekzistencial, për të gjithë ata që duan të jetojnë me mundin e djersën e tyre.
Vetëm (pu)shteti nuk do ta shohë e ta ndjejë këtë realitet të trishtë, madje ka shumë “të drejtë” për këtë, sepse për vete e ka gjetur zgjidhjen: Sa herë i duhen para’ nxjerr në shitje pasurinë e shqiptarëve, dhe sa herë ndjehet i pasigurt, fal dhe dorovit gjithë ata që kanë magjinë e fshehjes së këtij realiteti të zymtë.
“Ekonomia jonë” do ta ndjente rënien e saj, apo krizën siç jemi mësuar të thuhet, kur të zvogëloheshin importet, të cilat janë burimi që mbush buxhetin e shtetit dhe kur populli të kundërshtonte pagesën e shumë taksave (që janë vetëm oreks i qeverisë), dhe që në të shumtën e rasteve, janë të padukshme, falë modelit të “dorës së fshehtë”.
Prej këtij deformimi të ekonomisë dhe tregut, si dhe për mungesë të një zëri të organizuar qytetar, krijohet iluzioni se vendi ynë nuk ka krizë, duke i lënë mundësi e shans shpurës qeveritare, të mburren.
Realisht, qeveria nuk ka se si të ndjejë krizë ekonomike, përderisa ushqehet prej buxhetit, i cili nuk shter asnjëherë, përsa kohë ka popull që konsumon prej importeve, prej doganave të tyre, taksave, tatimeve e gjobave, që padyshim i paguan konsumatori dhe me çmime gjithnjë në rritje.
Pra, kriza është sociale, është vuajtja e popullit nën këtë trysni “reformash” të pambarimta, por dhe kjo nuk do të ndjehet për sa kohë populli i thotë peqe – lepe qeverisë, që padyshim është kundër tij dhe shet e grabit pa fre’ pronën e shqiptarëve.
Ata që kryesojnë dhe që na janë shfaqur si çudibërës prej listave me besnikë e servilë të padronëve të politikës (Berisha, Rama, Meta), flenë për vite me radhë në naivitetin e tyre dhe mbeten sylidhur përballë të papriturave e problemeve në rritje të shoqërisë shqiptare.
Atyre, nuk ka se si t’u shkojë në mendje, njohja e natyrës së vërtetë të këtij pushtimi modern dhe të konsultohen me mençurinë popullore, për të gjetur rrugët dhe format më efikase të humbura tashmë!!
Në krye të kësaj grabitjeje me emrin krizë (dhe që në fakt është krizë sociale, krizë popullore) janë oligarkitë financiare, janë bankat e bankierët. Këto kanë vite që mbledhin pasuri e konfiskojnë kapitale të patundshme, përkundrejt kredive – gracka që japin, të shoqëruara me kriza të prodhuara po prej tyre.
Ky devijim i bankave nga qëllimi klasik, si investitore dhe zhvilluese të rajoneve, nuk është i rastësishëm, por është rruga më e lehtë që rrit kapitalet dhe përfitimet e oligarkive financiare.
Kjo makineri e stërmadhe, e shtrirë në çdo rrugicë e lagje, që grabit me anë të butonave dhe gishtave që godasin pareshtur tastierat e kompjuterëve, gllabëron pa pushim e pa limit popuj e territore dhe ka tendencën e zgjerimeve dhe të bashkimeve nën sigla e flamuj globalë.
Evropa zgjerohet, sepse duhet të shkarkojë valvulën e krizës tek popujt e tjerë të varfër e të vegjël, për t’u bashkuar më tej edhe jashtë kufijve të saj, ndërsa politikanët tanë delirantë e karrieristë, ulërasin për të shkuar për atje, vetëm se janë mashtrues e manipulatorë, vetëm se duan pushtet e pasuri.
Pra, gjithçka është e kuptueshme dhe mashtrimi është i dukshëm!
Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të lëvizin kufijtë, nuk ka nevojë të ndryshojë hapësira gjeografike, por lihen në liri të plotë kapitali, mallrat dhe shërbimet, që fitimet e korporatave të jenë në nivel të kënaqshëm për ata që pronësojnë burimet kryesore të kombeve (mjetet e prodhimit; resurset; dhe bankat), ndërsa puna jo vetëm liri nuk ka, por mbetet e “burgosur” dhe shkon aq larg sa mbetet një ëndërr e humbur.
Shqipëria, përse nuk u dashka të dyshojë dhe të mendojë me dyshim (edhe qeverinë të quajtur socialiste), përballë politikave të tilla ekspansioniste, që sheqerosura me qefbërje e joshje ndaj politikanëve tanë për t’u bërë të përmasave rajonale e botërore?!…
Pikërisht, dyshime të tilla janë pjesë e demokracisë dhe kërkojnë të funksionojë ajo me të gjithë elementët e saj, me të gjitha instrumentet mbrojtës, që populli duhet të ketë dhe me emergjencë, duhet të krijojë.
Të shohësh me dyshim, për të mbrojtur interesat e tua, kjo nuk është as mosbesim dhe as prapambetje, por mençuri dhe zotësi për të mbajtur jetën në siguri, ndryshe prej servilëve dhe lajkatarëve që e shkatërruan këtë vend, situata do shkojë keq e më keq.
Kjo tirani moderne, ky mashtrim sistematik dhe aspak demokraci, nuk ka përse të lakmohet e të pritet me kaq shumë eufori (përjashto politikanët dhe elitën mafioze që ka uzurpuar gjithçka), nuk ka përse të varen shpresat tek detyrat që ata japin dhe përkëdheljet që u bëjnë politikanëve tanë diletantë, më shumë se sa tek shfrytëzimi i energjive tona intelektuale dhe i resurseve të shumta, për të dalë nga bataku ku kemi rënë.
Koha mbaroi!… Gongu ka rënë!…

*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: