Eurodeputeti Fredi Beleri duket se “ka bërë lëmsh” Parlamentin Europian, pasi ka mbështetur të preferuarin e Elon Musk, youtuber-in qipriot Fidias Panayiotou, për postin e nënkryetarit të Komitetit të Posaçëm ” “Mburoja për Demokracinë Evropiane”.
Çështja nisi kur eurodeputeti i Demokracisë së Re doli kundër partisë së tij duke propozuar Fidias Panayiotou, duke argumentuar se “ai është grek”. Pas votimit, Panayiotou nuk u zgjodh, duke humbur 33-21 nga një kandidat socialist. Ky veprim i Belerit shkaktoi reagime të ashpra nga eurodeputeti i SYRIZA-s, Kostas Arvanitis, i cili akuzoi Demokracinë e Re për lidhje me ekstremizmin e djathtë dhe mbështetje nga Elon Musk.
Beleri e mbrojti veprimin e tij duke e shpjeguar si një zgjedhje personale, e bazuar vetëm në “origjinën greke” të Panayiotou. Ai theksoi këtë në një postim në platformën ‘X’, duke shtuar se gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Parlamentit Evropian “Mburoja për Demokracinë Evropiane”, ishte ngritur çështja e plotësimit të postit të zv/presidentit dhe se, pasi nuk kishte kandidatë nga Partia Popullore Evropiane, ai vendosi të mbështeste deputetin qipriot, Panayiotou.
Në këtë mes, Elon Musk ndërhyri duke kërkuar që të votohej Panayiotou, duke e vlerësuar si të mençur, të palëkundur dhe me një interes të sinqertë për njerëzit.
(Balkanweb)