TIRANË- Deputeti Mark Frroku do të mund të ndjekë procesin gjyqësor që zhvillohet ndaj tij në Bruksel ku akuzohet për vrasjen e një shqiptari në vitin 1999. Pas kërkesës së tij, autoritetet belge kanë pranuar ta lejojnë të marrë pjesë në seanca, ndërsa pritet vetëm një rakordim me autoritetet shqiptare për mënyrën se si do të udhëtojë drejt Belgjikës Frroku.

Lajmin e ka konfirmuar për News24, avokati i Frrokut, Saimir Visha, i cili tha se ky vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda në Belgjikë, i shërben një procesi të rregullt gjyqësor.

“Është pranuar kërkesa jonë për të marrë pjesë në seancat në Bruksel. Kjo i shërben një procesi të rregullt gjyqësor. Deputeti Mark Frroku do të jetë në seancë më 19 tetor në Belgjikë. Nuk do të ketë ekstradim pasi nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve, as transferim të të dënuarve. Do sqarohet mes autoriteteve të dy vendeve”, deklaroi Visha.

Deputeti Kristian Demokrat ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”, prej më shumë se 4 muajsh pasi prokuroria shqiptare nisi ndaj tij procedimin penal duke e akuzuar për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurti në Belgjikë. Kjo masë u apeluar disa herë këtë masë, por kërkesa e tij nuk është pranuar.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: