Një mjek në Belgjikë është arrestuar për falsifikimin e rreth 2 mijë certifikatave të vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Ministrja e Shëndetësisë për rajonin Wallonia të Belgjikës, Christie Morreale, tha se mjeku, i cili nuk është emëruar, do të ndiqet penalisht për dhënien e certifikatave ‘Covid Safe Tickets (CST)’.

Duke e përshkruar rastin si një “skandal shëndetësor”, Morreale tha se certifikatat janë tërhequr dhe personat e përfshirë në mashtrim po ashtu do të përballen me padi ligjore.

Certifikata CST vërteton se një person është plotësisht i vaksinuar, i testuar negativ për virusin në 48 orët e fundit ose se është shëruar nga COVID-19 në gjashtë muajt e fundit.

Që nga fillimi i nëntorit, qytetarët në Belgjikë janë të obliguar të posedojnë certifikatën CST për të hyrë në restorante, kafene, bare, palestra dhe në vende të tjera.

Duke u përballur me një rritje alarmante të infeksioneve të koronavirusit, Belgjika këtë javë imponoi masa të reja për të parandaluar rritjen.

Tashmë është e detyrueshme që njerëzit të punojnë nga shtëpia për katër ditë në javë, me përjashtim të sektorëve që kërkojnë prani fizike të punonjësve, ndërsa të gjithë personat mbi 10-vjeç duhet të mbajnë maskë në transportin publik, në restorante dhe ambiente të tjera të argëtimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb