Një i ri nga Kosova është dënuar me burg përjetë pasi aksidentoi për vdekje një grua në Gjermani teksa bënte gara me makinë.
Prokurori publik në procesin që u zhvillua dje në Gjykatën e Landit në Kleve, kishte kërkuar burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, për shkaktarin 22-vjeçar të aksidentit, shtetas i Kosovës. Edhe trupi gjykues e ka ndjekur qëndrimin e prokurorisë, duke i shqiptuar personit të akuzuar dënimin me burg të përjetshëm, shkruan dpa.de.

Për të pandehurin e dytë, shtetas gjerman, i cili po drejtonte makinën tjetër në garë, prokuroria kishte kërkuar një dënim me kusht dy vjet për pjesëmarrje në një garë të ndaluar të makinave, me pasoja fatale. Por, gjykata e ka dënuar atë me 3 vjet e 9 muaj burg. Prokurori kishte kërkuar vetëm 2 vjet me kusht!

Shtetasi nga Kosova dhe ai gjerman, në prillin e kaluar (2019) kanë zhvilluar një garë në zonën e tyre të banimit, në Moers afër Duisburgut, me makinat e tyre 550 dhe 600 kf. 22-vjeçari kosovar qe përplasur me makinën e vogël të një gruaje, transmeton albinfo.ch. 43-vjeçarja qe katapultuar jashtë makinës dhe kishte vdekur pas tri ditësh. Sipas ekspertizës, makina, shkaktare e aksidentit kishte zhvilluar shpejtësinë deri në 167 kilometra në orë gjatë garës.

Gjykatësit ishin të bindur se kosovari dhe gjermanët kanë zhvilluar garë me makina në Moers pranë Duisburg në prillin e kaluar. Bëhet fjalë për makina të fuqishme prej afërsisht 600 kuajfuqi, që ata i ngisnin në një zonë banimi. Të dy të akuzuarit e kanë pranuar këtë në gjykim.

Në gjyq, shoferi i makinës, i cili nuk ishte përfshirë direkt në aksident, i ka kërkuar falje familjes së gruas së vrarë, përcjell albinfo.ch. Në një deklaratë të lexuar nga avokati i tij, ai thotë: “Më vjen së tepërmi keq për atë që ka ndodhur. Unë do të doja të zhbëhej kjo që ka ndodhur”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb