Momenti kur një makinë përplaset tek blloqet e Kryeministrisë më 21 janar nuk mund të harrohet dhe sa herë kujtohet ajo ditë, pamja do të kalojë përpara syve. Sokol Balla e kujton shumë mirë atë moment që e ndiqte nga kati i tretë i ndërtesës përballë.

Ai thotë në “Real Story” se personi në timon dukej që ishte i dehur, teksa kujton dhe një deklaratë të ish-ministrit të ndjerë Sokol Olldashi dhe çfarë i tha ai më vonë.

“E para duhet të sqarojmë një gjë. Automjeti ka qenë në mos gaboj një ‘Mercedez’ i vjetër 250 me ngjyrë të çelët. Nuk shembi derën. Dera ishte e hapur. Mjeti është përplasur me blloqe betoni, të cilat kishin bllokuar hyrjen e derës te Kryeministria. Personi që drejtonte mjetin, dukej që nuk ishte në gjendje të mirë, dukej që ishte në gjendje të dehur. Makina është përplasur në mos gaboj dy herë. Unë kam qenë në katin e tretë kur e kam parë. Në një tavolinë më tutje ishin kolegët e mi, disa prej të cilëve u akuzuan edhe puçistë. Unë ndërkohë kam shpenzuar pothuajse 99 për qind të kohës në ballkonin e katit të tretë. Aty ku së paku dy herë u hodhën bomba me gaz lotsjellës. Dhe ku unë kam qenë të një deputeti socialist të asaj kohe Ben Blushi dhe një funksionari shqiptar të Ambasadës Amerikane. Ky ka qenë momenti kur unë kam parë….Por unë kam një histori me makinën. Pas ngjarjeve unë u thirra nga drejtuesit e lajmeve të Top Channel për të qenë në studion e lajmeve në transmetim live. Unë kam qenë bashkë me kolegun tim Skënder Minxhozi. Ndërkohë i ftuar në studio ishte i ndjeri Sokol Olldashi, i cili në ato momente bëri deklaratën se në mjetin që kishte goditur kryeministrinë, në fakt kishte pasur tritol, kishte pasur një sasi të madhe tritoli. Një gjë që nuk u vërtetua nga hetimet. Vite më vonë kur kam folur me Olldashin në mënyrë private, ai sigurisht që më tha një version tjetër të ngjarjes, që ishte komplet i kundërt me atë që ai deklaroi atë natë. Edhe ai ishte koshient dhe kishte informacion se në makinë nuk kishte pasur asnjë lloj lënde shpërthyese”, deklaroi Olldashi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb