Qytetarët e Beogradit mendojnë ndryshe nga politika retorike në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë. Bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve është parësore për ta.

Dallohet ajo çfarë thonë politikanët në Serbi, dhe ajo çka mendojnë qytetarët për Kosovën. Në rrugën e quajtur ‘Balkanska’ në kryeqytetin e Serbisë, Beogad, takojmë Dulla Ivanovic. Tridhjetë vite më parë me harmoniken e tij thotë se kishte bërë muzikë për shqiptarët në Prishtinë.

‘Tridhjetë vite me parë kam bërë muzikë në hotelin Grand në Prishtinë. Do të doja që sërish të vizitoja Prishtinën. Sa iu përket çështjeve politike mua nuk më interesojnë. Besoj se vetëm me dialog do të arrihej ndonjë qetësi’. Shoqërinë me shqiptarët e ndjek edhe në ditët e sotme.

Refuzon të flas për çështjet politike por thotë se në Beograd jeton një numër i madh i shqiptarëve. ‘Kam shumë miq shqiptarë këtu në Beograd. Ata kanë lindur këtu dhe numri i tyre nuk është i vogël. Ne kemi marrëdhënie të mira dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme mes vete. Kemi kaluar periudha të vështira së bashku, megjithatë vazhdojmë të jemi miq të mirë,’ thekson Ivanovic.

Ndryshe nga politika retorike në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë mendojnë qytetarët e Beogradit. Ata thonë se qëllimi kryesor do të duhej të ishte integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian.

Më të drejtpërdrejt shprehen të rinjtë. Interes i tyre parësor duket se është zhvillimi ekonomik dhe integrimi i dy vendeve në BE. Ata thonë se zhvillimi ekonomik do të shuante dukshëm nacionalizimin mes dy popujve. Për beogradasit pak e rëndësishme duket nëse Kosova është e pavarur apo është nën Serbi.

‘Përfundimisht politika po bën ndarjen ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Për këtë është edhe fajtorja kryesore. Fatkeqësisht kjo po bëhet nga politikanët tek ne, në Prishtinë dhe Tiranë. Në këtë situatë mendoj që ka vetëm një zgjidhje e jo është zhvillimi ekonomik. Zhvillimi ekonomik do të ndihmonte në zbutjen edhe të nacionalizimit“ shprehet njëri nga të intervistuarit.

Ndërkohë një profesoreshë e Gjeografisë thotë se serbët vështirë se do të pranonin ndonjë projekt që ka për qëllim ‘Shqipërinë e Madhe’. Ngjarjet që ndodhën pas ndeshjes së futbollit thotë se kanë thelluar hendekun ndërmjet dy popujve. Megjithatë ajo thotë se do të vijë koha kur Serbia do të pranojë pavarësinë e Kosovës.

‘Tani kur më pyetni është tepër vonë t’ju them. Tashmë Kosova është e pavarur. Atë çka deshën shqiptarët e bënë dhe tashmë është fund. Unë nuk e ndjek shumë politikën por, mendoj që dialogu është zgjidhja. Ende duhet kohë që serbia ta njohë zyrtarisht këtë realitet por besoj që një ditë kjo do të ndodh,“ thotë ajo.

Ndryshe nga bindjet e qytetarëve duket qëndrimi zyrtar i shtetit serb mbetet i njëjtë. Në një postim në Twitter, Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic rithekson se Serbia nuk është e dobët dhe naive që të bisedojë me Kosovën. ‘Fakti që jemi konstruktivë nuk do të thotë se do të lëshojmë pe, fakti që besojmë, nuk do të thotë se jemi naivë” ka thënë ai.

(o.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb