Prishtina nuk ka shumë opsione për vazhdimin e dialogut me Beogradin, nëse nuk hiqet taksa për mallrat. Kështu deklarojnë zyrtarët serbë.
Kryeministrja, Ana Brnabic gjatë një vizite të saj në Luksemburg tha se shpreson që pas zgjedhjeve, në Kosovë do të mund të vazhdohen negociatat për zgjidhje afatgjate dhe të kompromisit mes Beogradit e Prishtinës.

“Shpresoj që pas zgjedhjeve, do të kemi njerëz që do të jenë mjaftueshëm të guximshëm dhe të përgjegjshëm, fillimisht para qytetarëve të tyre dhe të aftë për të biseduar rreth zgjidhjes afatgjate. Ne do të jemi aty. Nëse ndaloni qarkullimin e mallrave, atëherë nuk kemi çfarë të flasim,” tha Brnabic. Ndërkohë, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se është e rëndësishme që Beogradi e Prishtina të vazhdojnë bisedimet dhe të arrijnë kompromis, duke përmendur se marrëveshja e të dyja palëve ishte e rëndësishme për paqen dhe rrugën e tyre drejt BE-së.

“Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është e rëndësishme për qytetarët e të dyja vendeve. Është e rëndësishme të vazhdoni rrugën drejt BE-së, të siguroni paqen për vendet tuaja dhe të arrini kompromis, në mënyrë që të afroheni më shumë me njëri-tjetrin”, pohoi Bettel.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: