KSAMIL– Nga fillimi i këtij muaji, të gjitha qendrat shëndetësore në bregdet janë përballur me një numër të lartë pacientësh për shkak të fluksit në rritje të turistëve. Ky fakt është konstatuar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune ne 2 pikat shëndetësore të Ksamilit.

Ndërsa ka garantuar pushuesit dhe turistët se shërbimi shëndetësor ofrohet përgjatë 24 orëve, ministri Beqaj ka nënvizuar se nga mesi i qershorit e deri në fund të korrikut, 1300 pacientë kanë përfituar shërbim mjekësor në Ksamil.

“Sigurisht, eksperienca e fituar vitin e kaluar na ka bërë qe të jemi edhe më efektivë, duke optimizuar listën e barnave dhe materialeve mjekësore në dispozicion të qendrës, por edhe duke shtuar personelin mjekësor në dispozicion të këtij sherbimi. Keshtu, këtu në Ksamil, nga 15 qershori deri ne fund të korrikut, në të dy qendrat bashkë kemi 1300 raste dhe vetëm katër ditët e para të gushtit, me sa duket me rritjen e kulmit të kurbës së sezonit turistik, kemi rreth 40-45 raste në ditë,” pohoi ministri Beqaj.

Ofrimi i shërbimit shëndetësor pranë zonave bregdetare, për kreun e shëndetësisë është një garanci që u jepet si pushuesve, ashtu edhe operatorëve turistikë. “Unë dua të shfrytëzoj mundësinë për të falenderuar mjekët dhe infermierët që punojnë këtu, sepse të gjithë ne e kemi mendjen tek sezoni i pushimeve. Këta janë në dispozicion të sezonit turistik, të pushuesve e mysafirëve, por besoj edhe të operatorëve turistikë, të cilët ndihen më të sigurtë kur ofrojnë paketat e tyre, sepse kanë edhe garancinë e shërbimit shëndetësor,” theksoi Beqaj.

Ndërkohë, mjekët e Qendrës Shëndetësore të Ksamilit kanë pohuar se shërbimi është ofruar edhe për pushuesit e huaj. “Vlen të theksohet se shërbimi shëndetësor është ofruar edhe për pushues nga trevat shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe për pushues nga Gjermania, Polonia, etj,” tha mjekja e QSH-së Ksamil. Sipas saj, rastet më të shpeshta janë gastroenteritet, infeksionet e ndryshme, si dhe dëmtimet apo plagët e shkaktuara në det. “Gjatë ditëve të fundit, fluksi i pacientëve është rritur, kurse diagnozat më të shpeshta janë gastroenteritet, të cilat ne i përballojmë këtu me perfuzioniet dhe mjekimet e duhura. Pacientë të tjerë që paraqiten janë ata me infeksione respiratore dhe infeksionet e fytit. Moshat që janë të prekura më shumë janë moshat aktive, pastaj moshat e treta me kriza hipertensive, plagët që shkaktohen nga rrëzimet në det, etj”, theksoi ajo. Shërbimi shëndetësor në Ksamil ofrohet për të tretin vit radhazi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: