TIRANË- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj padit për shpifje kryedemokratin Lulzim Basha. Në një deklaratë për mediat, Beqaj shprehet se ka vendosur të çojë në gjykatë kryeshpifësin e PD-së, për t’i provuar shpifjet ndaj tij para gjykatës.

“Sot kam vendosur të çoj në gjyq kryeshpifësin në detyrë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Është koha që Lulëzim Basha të provojë përpara gjykatës se shpifjet e tij ndaj meje, nuk janë shpifje, po denoncime të bazuara në fakte dhe prova. Vërej me trishtim se për Lulëzim Bashën, milionat e miliardat janë fjalë goje, dhe kjo, ndoshta vjen për faktin se ai ende nuk ka provuar përpara drejtësisë së nuk ka grabitur pjesën e tij të milionave nga thesi i korrupsionit me rrugën Durrës-Kukës”, deklaron Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë thotë se nëse Basha do të faktojë vjedhjen do të tërhiqet nga aktiviteti publik dhe do të shkojë para drejtësisë.

“E siguroj opinion publik se përballjes me drejtësinë në gjyqin me kryeshpifësin e Partisë Demokratike, unë nuk do t’i shmangem duke paraqitur raport mjekësor për të djegur afatet e gjykimit siç bëri Lulëzim Basha. Përkundrazi, nëse Lulëzim Basha do të faktojë jo 31 milionë euro, po edhe 31 mijë lekë vjedhje në adresën time, unë do të tërhiqem nga aktiviteti publik, dhe do të shkoj përpara drejtësisë. Por në të kundërt, Lulëzim Basha do të duhet të përballet me ndëshkimin e merituar moral e civil, sepse sa për ndëshkimin politik, atë ai do ta marrë me siguri nga populli në zgjedhjet e ardhshme, njësoj siç e mori në referendumin e tij qesharak të 21 qershorit të shkuar”, theksoi Beqaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb