Berat Gjimshiti thyen etapat e rikuperimit. Mbrojtësi i Kombëtares lë pas krahëve dëmtimin dhe grumbullohet për ndeshjen e radhës të Atalantës, atë në shtëpi kundër Manchester United, e vlefshme për Champions League.

28-vjeçari u dëmtua në sfidën ndaj Hungarisë në Budapest, duke thyer krahun. Ai menjëherë kreu një operacion dhe pas më shumë se tri javësh, thuajse është gati. Mbrojtësi kuqezi humbi 4 ndeshje në Serie A me Atalantën dhe 1 në Ligën e Kampionëve duke qenë një mungesë e rëndësishme.

Gjithsesi, pavarësisht grumbullimit, trajneri Gasperini nuk mendohet ta aktivizojë kundër Manchester United, sepse do të ishte me rrezik të madh. Ky mund të jetë një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare, pasi pas 10 ditësh do të luajë në Wembley përballë Anglisë.

Por së pari, Gjimshiti duhet të marrë minuta, të paktën në ndeshjen e fundjavës që Atalanta ka për të luajtur në transfertë kundër Cagliarit. Situata e Gjimshitit do të shikohet ditë pas dite për të vendosur në fund se çfarë do të bëhet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb