Nga KLODIANA LALA*

Një mjek përballet me drejtësinë, pasi ngacmoi seksualisht një paciente. Prokuroria e Beratit përfundoi hetimet dhe dorëzoi në gjykatë dosjen penale për A.S., ndaj të cilit është ngritur akuza e “ngacmimit seksual”. “Kirurgu – thuhet në dosjen e prokurorisë – u kallëzua nga pacientja A.B., pasi teksa po e mjekonte, ai e ka ngacmuar, duke i prekur gjoksin, mandej i ka futur duart në organet gjenitale, si dhe ka tentuar ta puthë. I pandehuri A. S. ka kryer sjellje me natyrë seksuale, ka përfituar dhe ka prekur pacienten A.B. në pjesët intime të trupit. I pandehuri qëllimisht pas mjekimit, pasi ka qenë i vetëm me të dëmtuarën, e ka shoqëruar atë në dhomën e mjekut dhe duke përfituar nga situata dhe privatësia që ai krijoi, e ka ngacmuar atë seksualisht”, thuhet në dosje. Dëshmitë e dy infermiereve të spitalit, duket se janë prova më e fortë e fajësisë së kirurgut, pasi mbështesin fort pretendimin e pacientes, duke rrezuar alibinë e të pandehurit A.S. Më poshtë dosja e plotë e prokurorisë.

Denoncimi i 31-vjeçares

A. S., me detyrë mjek kirurg pranë Spitalit Rajonal Berat, u denoncua nga një paciente e tij për ngacmim seksual. A.B. u tha hetuesve se i ishte nënshtruar një operacioni të kryer në datë 01.10.2014 nga mjeku specialist, i pandehuri A. S. Tri ditë pas operacionit, rreth orës 10:30, e operuara me urdhër të të pandehurit është shoqëruar nga infermierja Y.RR, për në sallën e operacionit me qëllim mjekimin e plagës. Gjatë mjekimit i pranishëm ka qenë mjeku kirurg, i pandehuri A.S., i cili pas mjekimit të kryer nga infermierja e ka shoqëruar kallëzuesen në dhomën e mjekut për t’i vërejtur plagën. Teksa janë ndodhur të dy në dhomën e mjekut, i pandehuri A. S., e ka prekur pacienten në pjesën e gjoksit dhe i ka futur dorën poshtë, duke e prekur atë në organin gjenital. Në të njëjtën kohë ka tentuar ta puthë në buzë, duke e tërhequr pas vetes. Pacientja A.B, ka kundërshtuar duke mundur të shkëputet nga mjeku dhe ka dalë në korridorin e sallës së operacioneve. Këtu i pandehuri e ka kapur sërish nga krahu dhe e ka kërcënuar që të mos i tregojë kujt për atë çka ndodhi, por vajza ka thënë që jo vetëm do të tregonte, por do të lajmëronte edhe policinë për këtë ngjarje.

Dëshmitë e infermiereve

Y.RR, me detyrë kryeinfermiere e sallës së operacionit të Repartit të Kirurgjisë në Spitalin Rajonal Berat, rreth kësaj ngjarjeje ka sqaruar se në datë 03.10.2014 ora 10:30-11:00, i pandehuri A. S. pasi ka dalë nga salla e operacionit e ka urdhëruar të shoqëronte pacienten e dhomës nr.18, shtetasen A.B për mjekim në sallën e operacionit. Kryeinfermierja pasi ka marrë pacienten e ka vendosur në shtratin që ndodhet në korridorin e sallës së operacionit dhe ka kryer mjekimin e plagës në prezencën e të pandehurit. Pas mjekimit, ajo shpjegon se është larguar drejt sallës së operacionit duke lënë në korridor pacienten A.B. dhe të pandehurin A.S.

Për këtë ngjarje është pyetur edhe F.K. me detyrë infermiere e sallës së operacionit në Repartin e Kirurgjisë, e cila ka sqaruar se atë ditë teksa ka qenë duke shkuar drejt sallës së operacionit për të marrë garzat, në momentin që po hynte në sallë ka parë pacienten A.B. duke dalë nga dera e jashtme e sallës së operacionit, të cilën tek dera e priste një i afërm i saj. Në momentin kur infermierja ka hyrë në korridorin e sallës ka gjetur të vetëm të pandehurin A.S..

Të afërmit e vajzës

Të afërmit e pacientes, F.B. dhe E.P. kanë treguar mbi gjendjen psikologjike në të cilën ndodhej vajza pas kontaktit me mjekun, të pandehurin A. S., për të cilin kanë mësuar se e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarën A.B. Në dosje thuhet se F.B., sapo ka mësuar për këtë ngjarje ka kontaktuar me të pandehurin, i cili pasi ajo e ka fyer për atë çka kishte kryer, i ka thënë fjalët “më vrit”, por ajo i ka thënë se ishte ai që kishte vrarë vajzën e saj të operuar. E.P. sapo është afruar pranë mbesës, ajo ka filluar të qajë dhe ai e ka pyetur se çfarë kishte ndodhur. E dëmtuara i ka thënë se nuk mund të fliste aty dhe pasi janë larguar në fund të korridorit të spitalit, ajo i ka treguar se i pandehuri pas mjekimit e ka futur në dhomën e mjekut dhe atje e ka prekur në trup dhe ka tentuar ta puthë. Pasi e ka pyetur se për cilin doktor bëhej fjalë, ka kontaktuar me të pandehurin, i cili ka kërkuar ta qetësojë duke e ftuar në dhomën e mjekut. Rreth orës 13:30 në spital ka shkuar nëna e të dëmtuarës, F.B., e cila e shoqëruar nga vëllai i saj, E.P. ka shkuar në dhomën e mjekut dhe i ka thënë “të të vijë turp për veprimet që ke kryer” dhe e ka goditur me çantën që mbante në dorë.

R.B. ka shpjeguar se ka qenë së bashku me motrën, A.B., ndërkohë që një infermiere e ka shoqëruar motrën e saj për mjekim në sallën e operacionit. Ajo ka qëndruar në korridor ndërkohë që kallëzuesja A.B. pas mjekimit ka dalë me shpejtësi nga dera e sallës së operacionit e frikësuar dhe e tmerruar, por pa i treguar se çfarë kishte. Deklaruesja e ka shoqëruar motrën drejt dhomës, ndërkohë që ajo i ka kërkuar të lajmërojë të atin dhe do t’i tregonte gjithçka më pas. Sapo ka hyrë në dhomë, kallëzuesja ka telefonuar të ëmën, të cilës i ka kërkuar të shkojë menjëherë tek ajo, sepse kishte një problem, ku dhe i ka rrëfyer çfarë i kishte ndodhur.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: