BERAT- 11 vepra të rëndësishme i shtohen fondit të muzeut Ikonografik Onufri në Berat, ç’ka cilësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të viteve të fundit. Lajmi konfirmohet nga drejtori i muzeut Onufri, sipas të cilit bëhet fjalë për vepra nga mjeshtrave të mëdhenj si Onufri, Nikollës, Qipriotit, Çetirëve, etj, të marra nga Kishat dhe Manastiret e Kalasë së Beratit, vepra që prej kohësh ‘flinin” në ambjentet e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës.

“Flasim për ikona që datojnë rreth gjysmës së parë të shek.16 dhe ikonat e tjera shkojnë deri në gjysmën e parë të shek. 19 dhe që përfaqësohen nga mjeshtërat e fundit të familjes Çetiri”, tha Agron Polovina, Drejtori i Muzeut Kombëtar Onufri.

Por kjo është një nga hapat e para për muzeun Onufri. Në vijimësi pritet që fondit të këtij muzeu ti shtohen edhe objekte të tjera të rëndësishme, që nuk janë ikona. “Ka edhe objekte të tjerë shumë të rëndësishme metali dhe shërbese, ka edhe relika me të cilat gradualisht do pasurojmë fondin tonë të muzeut Ikonografik Onufri. Ne kemi menduar që çdo vit të organizojmë një ekspozitë permanente, e cila do jetë me vepra që nuk janë pjesë e linjës muzeale, por që i shtohen vit pas viti dhe ekspozohen herë pas here.”, pohoi Polovina. 11 ikonat e shtuara së fundmi në muzeun Onufri, mësohet se janë ekspozuar vite më parë si një sukses i padiskutueshëm në Mynih, Ankona, Bari e Vincenza.

(ed.me/NEWS24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: