Zjarri i rënë dje gjatë natës në kodrat e pyllëzuara të fshatit Mjeshovë, pasi u vu nën kontrroll nga Zjarrëfikësit e Beratit, është riaktivizuar sërish mbrëmjen e sotme, duke u shtrirë në pyllin me pisha të fshatit Metohë, që ndodhet në kufi me Mallakastrën.

Efektivët e Repartit Zjarrëfikës kanë vijuar prej 24-orësh rresht punën duke luftuar me flakët në një terren tepër të vështirë, ku është e pamundur ndërhyrja në zonë me mjete, ndërkohë që është kërkuar edhe ndihma e Reparteve Zjarrëfikëse të Mallakastrës. Edhe pse i fikur prej 24-orësh, vatrat e zjarrit janë riaktivizuar këtë mbrëmje nga era, duke përfshirë sipërfaqe të tëra me pisha e shkurre.

Deri më tani mësohet se janë shkrumbuar rreth 7 ha me pisha e shkurre në zonën më të gjelbëruar të malit Shpirag. Burimet policore bëjnë me dije se, zjarret në këtë zonë kanë qënë të qëllimshëm dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve .

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb