BERAT- Rreth 2 milion lekë janë vjedhur gjatë natës së të dielës në Rajonin numër dy të Bashkisë së qytetit të Beratit. Sipas të dhënave zyrtare, sasia e parave është marrë nga arkat e dy zyrave, asaj të Taksave Vendore dhe Gjendjes Civile.

Kanë qenë punonjësit e kësaj Minibashkie, të cilët kanë konstatuar vjedhjen mëngjesin e sotëm kur kanë ardhur në punë dhe menjëherë kanë njoftuar policinë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat bëjnë me dije se vjedhja është kryer me anë të thyerjes në derën kryesore.

Autori, i identifikuar tashmë nga Policia dhe i shpallur në kërkim ka thyer derën e jashtme të Minibashkisë Nr.2 në Berat e më pas ka hyrë në ambientet e brendshme, ku ka vjedhur nga arkat shumën prej 2 milion lekësh.

Burimet të policisë konfirmojnë se autor i vjedhjes është shtetasi me inicialet N.P.. Ndërkohë blutë e Beratit kanë nisur procedimin penal me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” edhe për Agjentin Tatimor të kësaj Minibashkie, shtetasin me inicialet F.B., për arsye se nuk ka bërë arkëtimin në bankë të shumës së vjedhur, siç duhet ta bënte çdo ditë pas përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Ndërkohë, punonjësit e kësaj Minibashkie në bashkëpunim edhe me ekspertët hetimore, kanë nisur verifikimet në dokumentacionin e institucionit, për të mësuar nëse janë prekur e vjedhur dosjet e kësaj njësie vendore apo jo. Hetimet që vazhdojnë për verifikimet e mëtejshme të vjedhjes, kanë bërë që ditën e sotme të mos ofrohet shërbim për qytetarët,të cilët deklarojnë se nuk kanë mundur dot të pajisen me certifikata.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: