Bulevardi i qytetit të Beratit ka qenë sot më i boshatisur se asnjëherë tjetër, sa të duket se jemi ende në shtetrrethimin e fundjavës. Mosndërgjegjësimi i beratasve për të respektuar rregullat ka bërë që policia të shtojë efektivët e saj në qendër të qytetit, ku edhe janë vendosur shumë gjoba për kalimtarët e pabindur.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Mësymja e policisë në Bulevard ka boshatisur tërësisht sheshet, parqet e lulishtet e qytetit duke prishur kështu edhe “rutinën” e xhirove të të rinjve. Radhë të gjata dhe grumbullime njerëzish ka pasur në bankat e qytetit, ku të gjithë shihen në radhë ngjitur me njëri-tjetrin dhe pa asnjë masë mbrojtëse. Në këto kushte, është dashur ndërhyrja e forcave të policisë për të bërë shpërndarjen e njerëzve që qëndronin në radhë para bankave, pa respektuar distancën.

Ndërkaq, në të gjithë qytetin lëvizjet e banorëve që dalin për të kryer nevojat e tyre familjare duket se sot kanë qenë të pakta. Kjo edhe për shkak të ndryshimit të fashave të orarit të qarkullimit, që ka sjellë edhe reduktim të radhëve që krijoheshin çdo ditë në markete, farmaci dhe sportelet e pagesës së faturave të ujit dhe energjisë elektrike. Në çdo rrugë të qytetit policia vijon kontrollet në automjetet që qarkullojnë në rrugë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: