Një grua saudite është dënuar me 45 vjet burg për postimet e saj në rrjetet sociale, rasti i dytë i këtij lloji këtë muaj, thonë aktivistët.

Një gjykatë dënoi Nourah bint Saeed al-Qahtani për “përdorim të internetit për të grisur strukturën sociale” dhe “shkelje të rendit publik duke përdorur mediat sociale“, raportoi grupi i të drejtave Dawn. Dihet shumë pak për gruan në fjalë, përveç faktit që ajo kritikoi liderët sauditë.

Një tjetër grua u burgos me 34 vite burg për aktivitetin e saj në Twitter më 9 gusht. Abdullah Alaoudh, drejtor i kërkimit për rajonin e Gjirit në Dawn, tha për programin Newshour të BBC-së se grupi me bazë në SHBA kishte mësuar për rastin e Qahtanit vetëm pasi iu kaluan dokumentet gjyqësore nga një burim gjyqësor dhe se po vazhdonte të hetonte.

“Asgjë në dokumentet e saj gjyqësore nuk ka të bëjë me ndonjë dhunë apo aktivitet kriminal”, tha ai. “Akuzat kundër saj janë vërtet të gjera. Ata po përdorin ligjin kundër terrorizmit dhe ligjin kundër krimit kibernetik… që mund të kriminalizojë çdo postim kritik ndaj qeverisë,” shtoi ai. Disa aktiviste të tjera femra thuhet se janë arrestuar në lidhje me postimet në mediat sociale që nga viti i kaluar. Zoti Alaoudh tha se kishte frikë se mund t’u jepeshin edhe dënime të gjata me burg. “Qeveria saudite po i dërgon një sinjal të fortë Perëndimit se nuk i intereson të drejtat e njeriut” tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb