*Rama në 18 muaj ka zhytur Shqipërinë në pasiguri ekstreme

*Thirrje shqiptarëve të mos largohen nga Shqipëria. Vini në rrezik heqjen e vizave

*Aleatët, “sa më të vegjël janë aq më të ashpër janë”, Basha të tregojë edhe më shumë kujdes

*Nuk ndërhyra për moskandidimin e Dukës në Durrës

*Aleanca e majtë, aleancë interesash totalisht për të zhvatur pushtetin

*Halim Kosova, kandidat fitues, ka përballë Ministrin e Mirëqenies Personale

*Rilindja ka vdekur në mendjen e Blushit që e ka besuar se unë se kam besuar kurrë 

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama duke e bërë

përgjegjës për situatën e rëndë sociale në vend dhe eksodin e qindra qytetarëve. Berisha tha se e kishte paralajmëruar situatën nisur nga masat shtrënguese të qeverisë. Ish-kryeministri u shpreh se qeveria e Edi Ramës ja doli në 18 muaj të rilindë eksodet, një fatkeqësie e madhe kombëtare.

“Në mediat sociale dhe në parlament kam paralajmëruar masat shtrënguese të qeverisë që në mënyrë ose në një tjetër po detyronin shqiptarët të largohen nga vendi. Qeveria e Edi Ramës ja doli në 18 muaj të rilindë eksodet, një fatkeqësie e madhe kombëtare. Në vitet ‘90-‘91 shqiptarët njohën eksodet më të mëdha të historisë. Në çdo 4 banorë njëri u largua, u cilësuan nga mediat botërore si eksode biblike. Shkaku ishte mjerimi ekstrem, sepse në vitin 1992 kishim 204 dollarë për frymë. Papunësia në nivele 80%, ndaj edhe shqiptarët u drejtuan deteve për tu larguar. Sot Shqipëria është nivelin e vendeve me të ardhura të mesme. Me të ardhura për frymë më të mëdha se në vitin 1992. Pas heqjes së vizave, statistikat tregojnë se ne renditeshim të fundit në rajon për kërkesa për azil në vendet e Shengenit. Statistikat greke tregojnë se shumë më tepër shqiptarë u kthyen se sa ikën. Në vitin 2015 ka një rikthim të frikshëm, të fuqishëm të eksodeve në Shqipëri. Renditemi pas sirianëve në listën e azilkërkuesve. Mijëra shqiptarë po ikin nga Shqipëria”, tha Berisha.

EKSODI

Ish-kreu i ekzekutivit tha se Rama ardhjen në pushtet e konceptoi si armiqësi, hakmarrje politike ndaj kundërshtarëve të tij dhe se vret shpresën e mbjell vrer.

“Çdo shqiptar dhe mik i Shqipërisë duhet të shtrojë pyetjen pse ikin shqiptarët nga Shqipëria. Cila janë shkaqet e rilindjes së këtij fenomeni tragjik për një shoqëri. Gjithçka është zhvilluar para syve tanë, është luajtur para syve tanë. Rama i mjekuar për 13 vjet për psikozë bipolare. Vret shpresën, mbjell vrer. Dramën e tij të brendshme psikike, negativitetin e tij e shndërron në dramë të tjerëve. Ardhjen në pushtet e konceptoi si armiqësi, hakmarrje politike ndaj kundërshtarëve të tij. Në fjalorin e tij dominojnë fjalët, prishje, shkatërrim, burgje. Nuk gjen asnjë fjalë ndërtim, punësim, investim, shpresë. Këtë energji negative e përdor për të vrarë shpresën e shqiptarëve. Fjala vret thotë një shprehje e urtë. Nuk është vetëm fjala shkaku i asaj që po ndodh në Shqipëri. Eksodet u zhvilluan si një film horror para syve tanë, kur aktori kryesor shpalli moton, “Qelbësira të të gjitha llojeve bashkohuni, kundër Sali Berishës”. Sot në Shqipëri sipas statistikave të policisë numërohen 30 mijë shqiptarë të burgosur. Shqiptarët po ikin nga vendi i tyre se për 35 dollarë dhe më pak, përplasen në qelitë e burgjeve dhe vrasin veten. Mbi 7 mijë punonjës që kishin vite shkollim u linçuan nga puna si armiq dhe u zëvendësuan me sojin e qelbësirave, duke bërë që çdo qytetar i vendit të mos besojë më”, theksoi Berisha.

Sipas tij “gjithçka u zhvillua si një film horror, kur Rama kalonte nga një shesh në tjetrin si Lenini, për heqjen e taksave, uljen e papunësisë etj” dhe se ata që i dhanë votën janë të zhgënjyer. Berisha akuzoi Ramën mbushi parlamentin me vrasës, përdhunues e trafikantë dhe zhyti Shqipërinë në pasiguri ekstreme.

“Njerëzit në hall e besuan, ata që i dhanë votën ndihen të zhgënjyer. Mezi presin të largohen nga ky vend sepse papunësia është rritur, taksat u rritën, rrogat janë ngrirë 2 vite me radhë, skamja bën kërdinë anembanë vendit. Gjithçka si një film horror, Rama shkatërroi qindra shtëpi e pallate me leje të kundërshtarëve të tij politikë. Edi Rama shndërroi dramën e tij psikike në dramë të familjeve dhe dramë kombëtare. Rama mbushi parlamentin me vrasës, përdhunues e trafikantë. Në 18 muaj ka zhytur Shqipërinë në pasiguri ekstreme”, tha ai.

APELI

Berisha u bëri apel shqiptarëve të mos largohen nga Shqipëria pasi shanset për të marrë azil janë inekzistente dhe rrezikojnë lëvizjen e lirë.

“Thirrje shqiptarëve të mos largohen nga Shqipëria, shanset për azil janë inekzistente. Me largimin nga Shqipëria i shkaktoni traumë vetes suaj dhe lehtësoni qeverinë. Vini në rrezik arritjen ndofta më madhore të jetës sonë, heqjen e vizave. Qëndroni për të larguar qeverinë e Ramës. Në komuna dhe zona të ndryshme janë zyrtarë që u thonë qytetarëve ikni në Gjermani, heshtja e akuzon Edi Ramën. Unë kam shumë respekt për Fleckenstein, fakti që erdhi ai me një eurodeputet tjetër dhe shkuan në Vlorë, në një nga qytetet ku nisen më shumë për këtë eksod, e detyronte Edi Ramën të dilte për këtë gjë, këtë katastrofë. Reagimi i vonë, të gjitha masat e tij janë nxitëse. Do të gjeni me mijëra e mijëra, njerëz që nuk paguajnë dot energjinë. Janë me qindra e mijëra që paguajnë dhe u shkojnë çdo ditë nga Enti u thonë keni kaq milionë borxh. Ky ka shndërruar energjinë në një mjet terrori të paparë sepse do të shlyejë 600 milionë euro borxh të CEZ-it”, tha Berisha.

ALEATËT E PD

I pyetur për negociatat e Partisë Demokratike me aleatët dhe nëse ka ndërhyrë për të mos kandiduar Agron Dukën në Durrës, Berisha mohoi të ketë ndërhyrë për kandidatët dhe Dukën. Ai tha se lideri i PD-së, përdori sondazhet për përzgjedhjen e kandidatëve, një mjet që nuk është përdorur gjatë drejtimit të tij. Berisha tha se aleatët duhet të trajtohen me shumë kujdes, duke përdorur shprehjen “sa më të vegjël janë aq më të ashpër janë”. Ai tha se Basha po tregon kujdes por porositi të tregojë edhe më shumë.

“Në mënyrë absolute nuk kam ndërhyrë në asnjë kandidim apo moskandidim. Kreu i PD-së këtë radhë ka përdorur një metodë, kurrë të përdorur më parë nga unë. Kjo metodë ishte e bazuar në Poll-e në bashkitë kryesore. Poll-et, këto 15 vitet e fundit janë futur si një shtyllë e demokracisë në qeverisje, veçanërisht në SHBA por po përhapen. Është një formë demokratike, pak më zengjine se ajo që bënim ne më parë, sepse Poll-et kërkojnë shpenzime. Në dijeninë time ka respektuar poll-et. Për Durrësin ka dëgjuar poll-et e PD. Nuk i kam kërkuar të mos kandidojë Dukën, asnjëherë. Kreu i PD ka si detyrim të zgjedhë ekipin e tij. Berisha njeh shumë eksponentë, do zgjedhë Basha apo unë. Zoti Basha do përzgjedhë ekipin e tij, unë kurrë. Aleatët duhet të trajtohen me shumë kujdes. Mendoj se eksperienca e krijuar në këto zgjedhje, zotit Basha do ti shërbejë shumë për një platformë më soft në negociatat me aleatët, që e kanë një dhunti ,sa më të vegjël janë aq më të ashpër janë. Po tregon kujdes, por duhet të tregojë edhe më shumë kujdes. PD i takon që aleatët tradicionalë të saj ti ketë, ti përfillë. Kur ua them këtu publikisht, ky është qëndrimi im”, deklaroi ish-kryeministri.

Berisha u ndal edhe tek aleanca e majtë, për të cilën tha se shembulli tipik është Topi. Ai deklaroi se është një aleancë për të zhvatur pushtetin.

“Aleanca më specifike, deklarata e Topit, a e dëgjuat. Tha hyjmë në koalicion por jemi në opozitë. Jua them unë, asnjë i ndjerë në vitet 90 nuk e bëri këtë deklaratë. Ky është koalicioni i tyre. Ajo është një aleancë interesash totalisht për të zhvatur pushtetin. Ku i ka vlerat, tipike ishte kjo që tha Topi”, tha Berisha.

KANDIDATËT

Më pas ish-kryeministri është ndalur tek emrat specifikë të kandiduar nga PD-ja për bashkitë kryesore. Berisha vlerësoi maksimalisht Halim Kosovën, të cilin e cilësoi kandidat të fitores, për dy arsye: së pari për figurën dhe personalitetin e tij dhe së dyti për shkak të kundërshtarit, të cilin e quajti “Ministër të Mirëqenies personale”.

“Unë vlerësoj kandidatin e PD-së për Tiranën në bindjen më të thellë, një kandidat të shkëlqyer për ata që kërkojnë vlerat. Vlerësoj si një kandidat të fitores. Halim Kosova është një mjek i shquar me reputacion të gjithanshëm të pakontestueshëm. Halim Kosova nga mjekët që unë njoh është menaxher imë i mirë. Është doktor shkencash. Ka dëshmuar në këto vite, aftësitë menaxheriale më të shkëlqyera në maternitetin Mbretëresha Geraldinë. Është një humanist i madh. Një njeri që ka dhunti shërbimi, po ta analizosh njëri që ka shërbyer, ka brenda vizionin më të qartë se si tu sjellë qytetarëve të tij shërbimet më të mira. Së dyti nga të gjithë kandidatët e rreshtuar në krahun opozitar nuk di ndonjë tjetër që të jetë më konsensual në rrafshin social se Halim Kosova, është në natyrën e tij dhe fushata e tij bazohet mbi vlerat që ai ofron. Bazohet mbi paketën e shërbimit ndaj qytetarëve. Është apo jo politik, është politik. Të gjesh një njeri në moshën e Halim Kosovës që nuk është politik është jashtë çdo lloj mundësie. Ka qenë ministër, është deputet, është politik. E konsideroj kandidat të fitores. Për dy arsye, sëpari për vetitë e tij, vlerat e tij si personalitet. Së dyti mëkatet e mëdha të qeverisë, edhe ato janë, është lista e pafundme e dështimeve nga mashtrimet tek eksodet. Inkarnimi i të gjitha këtyre është rivali i tij, nga Griselda tek me radhë me radhë. Rivali i tij është i gatuar me të gjitha. Edhe para Griseldës po të doni, edhe të tjerë me radhë. Inaugurimin për së dyti në Tiranë të qendrave të punësimit. Ka qenë një koreografist i Mjaft. Unë i kam pëlqyer se me ta kam punuar kundër Fatos Nanos. E kam thënë edhe më para, por jo ndonjë rezultat të themi. Si ministër, pashpirtësi. Thonë u kemi dhënë këtyre për energjinë, absolutisht nuk kanë dhënë asnjë qindarkë. Hyri dhe mbeti si ministër i Mirëqenies Personale. Qytetarët e kanë të lehtë të zgjedhin midis vlerave dhe tij”, tha Berisha.

Ai i ka cilësuar fituese edhe kandidatet për Bashkitë e Shkodrës dhe Durrësit, ndërsa e ka quajtur Kreun aktual të Bashkisë së Durrësit, “Vangjush Betoni”.

“Dy zonjat në Shkodër dhe Durrës janë fitimtare. Në Shkodër ka një gjë keni qenë vetë dhe Shkodra flet vetë. Nëse ka një qytet të ndërthurur për mirë është Shkodra. Kreu i  Bashkisë ka bërë punën të shkëlqyer për të kthyer Shkodrën në identitet. Voltana ka qenë pjesë e këtij procesi. Deshendente e një familje shumë të mirë. Përfaqësuese e të gjitha komuniteteve në Shkodër. Vetë si Voltanë, djalin si Gjon e me radhë. Është e shkolluar, me koncepte dhe dashuri për Shkodrën. Grida ka përballë Vangjush Betonin. Kisha para një jave një nga sipërmarrësit e mëdhenj të betonit në Shqipëri dhe është i njohur dhe çfarë më tha. Mbylli çdo mundësi tregu përveç vetes Vangjushi dhe ky ishte i majtë. Jam i sigurt që Grida kompani të vetën nuk do ketë, do kujdeset për qytetarin. Vangjushi me Ramën ishin armiq, i çonte çantat. Vangjushi nuk e ka respektuar vendimin e qytetarëve.

Në Elbasan një prej njerëzve më qytetar të Shqipërisë. Ardian Turku, një njeri që sa ishte kryetar Bashkie bëri shumë për qytetin e qarkun, jo si Qazimi që u kujdes për veten. Ç’po bëjnë tani, një batërdi të tmerrshme, çështja e impiantit të përpunimit të plehrave”, tha Berisha.

RAMA

Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot se deklaratat e Edi Ramës në lidhje me bashkimin kombëtar janë deklarata të lidhura me Mark Frrokun, eksodin, Tom Doshin dhe me problematika të tilla, që sipas tij Rama i lëshon si shashka për të tërhequr vëmendjen.

“Interesi kombëtar është një gjallesë sa vetë kombi dhe ai ka dinamizmin e tij, ka dinamikën, ndryshimet e me radhë. Cili është interesi kombëtar i shqiptarëve sot? Janë marrëveshjet Kosovë-Serbi, në krye të listës së interesit kombëtar. Ata të cilët mendojnë ndryshe, mendojnë njëlloj si krahu ekstrem serb, jo i moderuar. Shqipëria duhet të bëjë gjithçka, aq sa ka në dorë,  se në dorë e ka Brukseli, SHBA, duhet të jetë një vend kontribues dhe jo ç’kontribues.”, u shpreh Berisha.

Për Berishën, interes kombëtar përbën Presheva. “Zotëria shkoi dhe i mashtroi u tha se arrita marrëveshjen për njohjen e shkollave, absolutisht nuk arriti asgjë, vetëm mandolinën me Daçiçin, se i binte në darkë”,  tha Berisha.

Sipas tij, Rama nuk po bëhet patriot. “Të mendosh se po bëhet patriot Rama që i ka dhënë çelësin e Artë të Tiranës Bregoviçit, pa kërkuar të falur, është njësoj si të besosh rrethin katror’’, ironizoi Berisha, duke shtuar se Rama duhet të bëjë rrugën, 7 kilometra mes alpeve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Berisha foli edhe për deklaratat e kryeministrit serb për arrestimin e Thaçit.

“Deklaratat e Vuçiçit më kujtojnë kohët e Millosheviçit, por të ngrihen tani se do arrestojnë Hashim Thaçin, këtë mund ta thonin mendje të rrjedhura si Millosheviçi dhe Shesheli. Pra interesi i shqiptarëve është në mënyrë të padiskutueshme konkretizimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi’’, komentoi Berisha.

BLUSHI

I pyetur për analizën e fundit të Blushit mbi funeralin e rilindjes, Berisha u përgjigj shumë shkurt se nuk e ka besuar kurrë rilindjen.

“Ka vdekur në mendjen e Blushit që e ka besuar se unë se kam besuar kurrë rilindjen e tyre”, tha ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb