TIRANË- Ish­-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se prej dy muajsh bllokon në këshillin bashkiak vendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës.

Në një koment të publikuar në profilin e tij në faqen e tij “Facebook”, Berisha shkruan se bllokimi i vendosjes së shtatores në Tiranë është një shenjë urrejtjeje për figurën e Rugovës. Berisha risjell në vëmendje se Rama në kohën kur ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, i ka dhënë çelësin e artë Bregoviçit.

KOMENTI I PLOTË I SALI BERISHËS

Edvin Kristaq Rama bllokon vendosjen e shtatores së Presidentit Rugova në Tiranë. Të dashur miq, në një akt antikombëtar të mirëfilltë, Edvin Kristaq Rama prej më shumë se dy muajve ka bllokuar, duke urdhëruar këshilltarët e tij bashkiak, vendosjen në një shesh në Tiranë të shtatores së presidentit Rugova, vepër e skulptorit Idriz Balani, përzgjedhur nga një konkurs ndërkombëtar organizuar për këtë qëllim në Prishtinë.

Bllokimi i vendosjes së përmendores të ish-presidentit Ibrahim Rugova është një akt i turpshëm, dëshmi e urrejtjes atërore e piktorit dështak ndaj intelektualit, politikanit, misionarit më të madh politik në historinë tonë kombëtare dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës. Me këtë akt antikombëtar, Edi Rama, njeriu që i vendosi çelësin e artë të Tiranës famëziut Bregoviç, hakmerret ndaj presidentit Rugova të cilin sipas dokumenteve zyrtare etërit e tij donin ta vrisnin në vitin 1991, vetëm se mbështeti PD dhe Sali Berishën.

Pasi hoqi nga Tirana shtatoren e Nënë Terezës, për të cilën ai është shprehur me fjalët më të ulta, të cilat i përdorte i ati dhe bllokmenët e tjerë kundër saj, Edi Rama shpërthen me urrejtje ndaj Presidentit Rugova dhe bllokon vendosjen e përmendores së tij në qytetin e Tiranës!

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: