Portieri i kombëtares shqiptare dhe Atalantës, Etrit Berisha, ka dhënë një intervistë për emisionin “Zona Gol” në “Supersport”. Ndër të tjera, ai shprehu mirënjohje për De Biazin teksa tha se pa trajnerin italian, ndoshta nuk do të kishte qenë pjesë e Shqipërisë.

Për dëmtimin e pësuar përballë Evertonit
“Jam mirë, kam qenë me doktorët dhe të gjithë ekzaminimet kanë dalë mirë. Tani do të vijoj normalisht stërvitjen për të qenë gati për ndeshjen e ardhshme. Dëmtimi me Evertonin nuk ka qenë serioz.”

Për ecurinë e sezonit te Atalanta
“Kampionati italian është shumë i vështirë, nëse nuk e dëshiron fitoren me ngulm, bëhet gjithçka e paparashikueshme. Ne tek Atalanta kemi një ekip shumë cilësor, por kemi lënë disa pikë. Ndoshta kemi disa lojtarë të rinj që nuk janë mësuar edhe me Europa League-n, ndaj dhe kemi patur një ngecje në kampionat. Në javët në vazhdim besoj se do të jemi më të fokusuar në Serinë A. Rivaliteti për titullin do të jetë shumë i fortë, pa një favorit absolut deri në fund.”

Për punën e De Biazit me kombëtaren shqiptare
“De Biazi ka bërë një punë shumë të madhe me Kombëtaren tonë. Ne jemi shumë të kënaqur për gjithçka ka arritur për ekipin. I jam mirënjohës për atë që ka bërë për mua personalisht. Pa De Biazin, ndoshta as unë nuk do të isha në kombëtare.” /PanoramaSport/ http://www.panorama.com.al/sport/berisha-de-biazit-i-jam-mirenjohes-pa-te-ndoshta-as-une-nuk-do-te-isha-ne-kombetare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb