Maxhoranca socialiste do të vendoset shumë shpejt në provë se cilën prej dy projekt rezolutave të paraqitura në Kuvend nga grupi i Enkelejd Alibeajt dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha do të pranojë.

Katër ditë më parë ishte kreu i grupit të PD-së, Alibeaj i cili paraqiti dokumentin me firmën e tij, ndërkohë që nuk bëhet e ditur se sa deputetë të tjerë e kanë firmosur atë.

Rezoluta e thekson dhe përdor termin “genocid” për dhunën e kryer nga forcat serbe në territorin e Kosovës. Ajo bazohet në raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11.09.1998, për vrasjet dhe ekzekutimet e banorëve shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe numrin e madh të të dëbuarve; sikundër dhe në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Sesionin e 53-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, E/CN.4/1999/SR.19, dt. 9 korrik 1999, për fundshekullin e 20-të “nën retë e zeza të gjenocidit”, e që karakterizohet edhe nga “fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë, që duket se ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnik, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë”.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme në Kuvend është protokolluar një tjetër projekt rezolutë për genocidin serb në Kosovë, këtë herë e firmosur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe një grup deputetësh.

Me anë të kësaj rezolute kërkohet që qeveria shqiptare të shpalle 15 janarin ditën e përkujtimit të masakrës së Reçakut, gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Shumica është shprehur publikisht se nuk do të votojë asnjë document ku ka firmosur kryetari i PD-së, i shpallur non grata nga SHBA. Për këtë qëllim ata rrëzuan edhe emrin e Simon Mirakës për në Autoritetin e Dosjeve, pasi një prej firmave mbështetëse ishte ajo e Berishës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: