Më prag të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, por edhe 22 majit kur Rithemelimi ka thirrur zgjedhjet për kryetarin e PD-së, në bazën demokrate lëvizjet janë si rrallë më parë.

Gjatë ditës së djeshme ish-kryeministri Sali Berisha, kandidati kryesor për të fituar në 22 maj, por edhe Enkelejd Alibeaj që nga disa njihet si kryetar në detyrë i PD e disa të tjerë si kryetar grupi parlamentar, kanë zbarkuar në bazë.

Berisha është takuar me mbështetësit e tij në Elbasan, në takimin e parë të fushatës elektorale përballë Ibsen Elezit. Ai shoqërohej nga deputeti i këtij qarku Luçiano Boçi dhe strukturat lokale.

“Unë pres sot nga ju që të jepni mendimet tuaja, sugjerimet tuaja, çfarë duhet të bëjë PD, çfarë duhet të bëjmë ne për të bindur shqiptarët të mbrojmë interesin tonë kombëtar, të mbrojmë interesin e Shqipërisë dhe të ngrihemi fuqishëm se absolutisht edhe njëherë e them se tokë dhe vend me potencialet e këtij vendi nuk ekziston mbi tokë”, iu drejtua Berisha demokratëve të Elbasanit.

Nga ana e tij, Enkelejd Alibeaj pati një takim me strukturat e Fierit, nga ku ka dalë deputet e si për koicidencë nesër do t’i vizitojë Sali Berisha.
“Takimi me strukturat e PD-së, në Fier. Bashkëbisedim me anëtarë të kryesisë dhe drejtues grup seksionesh të kësaj dege dhe mbi të gjitha takim mes miqsh e kontributorësh historikë, të ditëve më të vështira. Së bashku me Kryetarin e degës së PD-së Fier, Agron Kapllanaj dhe me kolegët e qarkut, Eralda Tase Bano, Ilda Dhori dhe Saimir Korreshi”, bën të ditur Alibeaj.

Takimet në bazë vijnë vetëm disa orë pasi kreu i grupit të PD-së i ka propozuar maxhorancës një platformë me kritere dhe formulën sesi duhet të zgjidhet Presidenti i ri i vendit. Por kjo platformë e cila përjashton kandidatët me profil politik, nuk pranohet nga grupi i Berishës që akuzojnë Alibeajn si të përfshirë në pazare me Edi Ramën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb