TIRANË

Ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe analisti Artur Zheji kanë komentuar në emisionin “Pikat mbi i” në News24 situatën në PD, protestën e 8 janarit si dhe vendimet e mëpasme të Sali Berishës apo thirrjen në prokurori të tij dhe të Lulzim Bashës.

Zheji deklaroi se lajmi është që Berisha vendosi t’i kthehet foltoreve, pra fakti që nuk u mor godina e PD konsiderohet si humbje për të dhe baza e ka lexuar si dobësi. Sipas tij, fabula e ujkut me lëkurin nuk u vërtetua dhe u pa se Basha është një qëndrestar.

Nga ana tjetër Ish-Presidenti Topi deklaroi se për të është një terren sa dramatik aq dhe qesharak, por thekson se për Prokurorinë nuk është aspak e vështirë. Sipas tij, ajo që ndodhi më 8 janar nuk ka fitues dhe se palët janë të dyja humbëse.

Ish-presidenti duke analizuar qëndrimet dhe deklaratat e Berishës se do të rikthehet në bazë theksoi se ai do vazhdojë me periferinë dhe kur të bindet që e ka domeinin e tij, do i kthehet Tiranës.

Artur Zheji: Prokuroria po mundohet në stilin e saj të mbajë një qëndrim mbi palët dhe sa më pak e sulmueshme nga të dyja palët. Duke lënë produktin dhunë në mes dhe duke marrë një distancë të barabartë nga të dyja palët. Ky nuk është ndonjë lajm. Procedura dhe protokolli i prokurorisë është i parashikueshëm. Lajm është që doktori vendosi t’i kthehet foltoreve, e quajmë konsultim, dialog.

Thelbi është ky që me sa duket në bazë, fakti që nuk u mor kështjella, godinë e PD-së konsiderohet si humbje për Sali Berishën dhe baza ndoshta e ka lexuar në pjesën më të madhe si një dobësi, si mosmbajtje e një premtimi.

Fabula e ujkut me lepurin, që mendonin se Berisha ishte ujku dhe Basha lepuri nuk u vërtetua, duhet një fabul tjetër. U pa që Lulzim Basha është qëndrestar.

Bamir Topi: Preokupimi më i madh është si e ka perceptuar baza. Këtu biem në një terren aspak të kultivuar për politikën. Në eksperiencën botërore ata që zgjidhen në politikë përfaqësojnë mendimin më të kualifikuar. Vendimmarrja e tyre mbetet vizionare. Jemi në një situatë që secili në mënyrën e tij konfirmon tezat dhe parashikimet që i ka hedhur kohë më parë. Për mua është një terren sa dramatik aq dhe qesharak. Kohë më parë unë kam propozuar një tezë që mund të quhet dhe cinike, por duke qenë për një kohë të gjatë pjesëtar i asaj fryme, strukture në një trajektore të gjatë politike e kam thënë me shumë sinqeritet, kam parë një betejë që do përfundojë në mënyrë dramatike. Unë nuk quaj dramacitet, aspektet e dhunës. Dramaciteti më i madh është kur dy njerëzit kryesorë që e kanë udhëhequr PD-në kthehen në pozita qesharake, të pabesueshme, hedhin akuza ndaj njëri-tjetrit ndërkohë që kanë qenë arkitektë të asaj që ka ndodhur. Unë kam qenë kundër çdo aspekti të dhunës, dhe asaj verbale. Sa i përket institucionit të prokurorisë, mendoj se ato e kanë situatë më të lehtë se çdo herë tjetër, paradoksalisht. Jam kundër tezave që prokuroria është një pozicion të vështirë. Janë brenda një kampi, brenda dy njerëzve që dhe kur kanë qenë bashkë dhe veç e veç nuk kanë demonstruar sinqeritet.

Në atë çka unë njoh, do të merrem me ekzekutuesin e urdhrave politikë dhe jo politikanët.

Ose prokuroria e ka humbur totalisht atë imazhin e një segmenti të shtetit ku njerëzit që shkojnë do të ndihen të ndrydhur, shkojnë pa asnjë lloj sikleti, gënjejnë pa asnjë lloj sikleti.

Janë të dy humbës, nuk ka fitues. Ajo histori me të mirat me të këqijat duhet të ishte ruajtur. Kjo histori nuk është ruajtur, për arsye pragmatiste, ndoshta jo thjesht mbi godinën sepse mbi godinë është pushteti politik.

Artur Zheji: Nuk jam dakord me përfundimin, me një pjesë jam dakord të analizës që të dyja palët kanë humbur në shansin e munguar që të mos e çonin çarjen mes palëve deri në këtë pikë. Kam përshtypjen që në qoftë se në kohën e foltores Berisha arriti të organizonte një ortek gjithmonë në rritje dhe të bindte masat demokrate se Basha është peng, njerëzit patën një prirje ta besojnë sepse e dinin që Basha është një produkt politik i Sali Berishës në shumë gjëra. Këtu është problemi, unë të krijoj si ‘një yll në ngritje’ siç thoshte Berisha për Bashën, por nuk të kam shpirtin peng. Ishte një akt lirie që Basha pati. Nuk ka zgjedhur gabim Sali Berisha Lulzim Bashën. Paska ca cilësira, dika të qëndrojë dhe kur iu dha shansi të qëndronte, qëndroi brenda në godinë. Mund dhe të hapte godinën dhe të ikte. Por mendoj që ai u vetëshpall dhe qëndroi qëndrestar. Në opinionin publik demokrat ky veprim që ai qëndroi dhe në fund Berisha u dorëhoq është një kredit pozitiv për Lulzim Bashën. Loja është e hapur, beteja është e hapur. Rezultati mund të ndryshojë.

Të kthyerit në bazë tregon që ndoshta ai do rikthehet prapë me energji. Aq sa e njoh unë mendoj që do kthehet prapë dhe këtu kartoni i verdhë i prokurorisë mbetet i verdhë, jo i kuq.

Bamir Topi: Çfarë di shumë mirë Sali Berisha? Di shumë mirë që figura e tij në pjesën periferike të partisë është një figurë e dashur. Së paku nuk është një figurë e kundërshtuar dhe qëllimi i tij, i pari qëllim është që të konservojë këtë simpati. Jo pa qëllim ka zgjedhur Shkodrën, që është një terren tradicional. Të gjithë udhëheqësit politikë të së djathtës kanë tentuar ta fillojnë nga Shkodra. E dyta, ndodh ajo që ndodh në shkencë, është konkurrenca që duke dashur të shkojë të realizojë takime, realizimi i vetes për qëllime elektorale dhe të frenojë kundërshtarin politik. Këtu problemi është për të fituar rolin drejtues, ndoshta jo formal por substancial. Këtu Berisha ka eksperiencë, ka një terren të favorshëm dhe i shkoni gjithmonë citimeve që ai i jep flu, thotë nuk do dalë nga performanca e foltoreve. Foltorja kishte një audiencë më të kufizuar, tani thotë tek Pallati i Sportit. Gradualisht është duke rritur intensitetin dhe kërkon të marrë sa më shumë audiencë. Audienca nuk është heterogjene, është homogjene. Do të marrë pjesën më vitale të PD për ta lënë Bashën në minorancë. Ne po bëjmë disa parashikime që nuk lidhen thjesht me koshiencën por edhe subkoshiencën. Ai e fillon atje, por sigurisht vëmendjen kryesore e ka këtu. Deklaratat kanë qenë ekstreme jo se ka qenë i bindur se këtë seli do ta merrte.

Sa kohë ajo seli zyrtarisht i takon një individi, i cili është person juridik, menjëherë policia do shkojë në mbrojtje të këtij identiteti. Ai ka ndryshuar taktikën dhe për të kamufluar që nuk ka një protestë të dytë në Tiranë. Ai e kamuflon, thotë kam ndryshuar taktikë. Do vazhdojë me periferinë dhe kur të bindet që periferinë e ka domeinin e tij, atëherë do i kthehet Tiranës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb