Berisha pretendoi dje se Durim Bami, personi i pretenduar nga deputeti Tom Doshi se do të kryente vrasjen e tij, është kërcënuar sërish në dhomat e qelisë. Në një status në “Facebook”, Berisha deklaron se kësaj here Bamit i dërguan në qeli “kapuçonin e zi”, me një certifikatë të Gjendjes Civile me emrat e të gjithë pjesëtarëve te familjes dhe me mesazhin se do t’i vrisnin të gjithë ata. Pak ditë më parë ishte Doshi i cili pretendoi se Bamit i ishte çuar mesazhi në qeli se do t’i vrisnin djalin në rast se nuk ndryshonte dëshminë e tij.

“A i dërgoi Meta kapuçonin e zi përsëri Bamit në qeli?! Mediat njoftojnë se pardje, pas katër orë pyetjesh, Durim Bami dëshmoi atë që Meta dëshiroi. Ai hodhi poshtë atë që i kishte pohuar Tom Doshit pa asnjë kërcënim në dhomën e regjistrimit se në qeli i kishin dërguar kapuçonin e zi, i cili i tha se po të fliste do t’i zhduknin fëmijët. Shumica, në Komisionin e Mandateve, për të mbrojtur Metën, nuk lejoi që kjo video të shikohej nga publiku, duke dëshmuar kështu tmerrin e Metës nga deponimi i Bamit por dhe fajësinë e tij për skenarin ogurzi të vrasjes së dy deputetëve. Meta u la shpejt nga deponimi i ri i Bamit. Thuhet se Bamit i dërguan në qeli përsëri kapuçonin e zi me një çertifikatë të Gjendjes Civile me emrat e të gjithë pjesëtarëve të familjes dhe me mesazhin e parë, por tashmë duke ja përsëritur disa herë zhdukjen për secilin pjesëtar të familjes, aq sa Bami mezi priste të zbardhe dita ta merrnin në pyetje për të pohuar me zë dhe figurë se kishte dashur thjesht të imitonte Kallakun dhe bërë shaka me ato që i kishte thënë Doshit”, – shkruan Berisha në “Facebook”. Ai shton mandej se “tani videon e djeshme (pardjeshme) të Bamit e disponon baba Taku (Spartak Braho), i cili e mban në torbën e zezë të kokainës së Gëzim Çelës për t’ia përplasur në sy Doshit sëbashku me çertifikatën e Gjendjes Civile të Bamit në rast se Doshi guxon të nxjerrë ndonjë dokument tjetër”, – shkruan Berisha.

FRROKU

Me një status tjetër në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri akuzoi po dje kreun e ekzekutivit, Edi Rama se ka fshehur për një kohë të gjatë kërkesën e Interpolit për ekstradimin në Belgjikë të deputetit, Mark Frroku.

“Mediat botojnë dokumenta zyrtare, sipas të cilave Edi Rama fshehu kërkesën e bërë para një viti nga Interpoli për ekstradimin në Belgjikë të Mark Frrokut të dënuar për vrasje me 10 vjet burg si vrasës i Aleksandër Kurtit. Me të drejtë çdo njeri shtron pyetjen se cili është më kriminel në këtë rast? Vrasësi Mark Frroku, që në rrethana të caktuara vrau një njeri apo Edi Rama, që këtë vrasës, i cili përveç krimit dhe parave të krimit nuk ka gjuhë dhe meritë tjetër, e bëri deputet?! Dhe jo vetëm kaq, por pas kërkesës së Interpolit për ekstradim, Edi Rama lan duart me gjakun e viktimës së Frrokut, duke hedhur në kosh të plehrave kërkesën e Interpolit dhe mbrojtur me imunitetin e Parlamentit vrasësin e tij. Edi Rama ka sot fytyrën e Frrokut të tij”, – shkruan Berisha në “Facebook”.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb