“Bëhet fjalë për një opozitë më të fortën që ka parë vendi që nga viti 1991”. Kështu deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha pas mbylljes së protestës për gazetaren e News24 Klodiana Lala.

I pyetur se si do të vijojë lëvizja e tij, Berisha tha se përgjegjësi ka dhe opozita për situatën në vend që nuk i priu për të ngjallur shpresën dhe besimin tek qytetarët shqiptarë dhe se kjo kohë merr fund.

“Në rast se Shqipëria është rrokullisur në këtë mënyrë, përgjegjësi pa asnjë diskutim, ka dhe udhëheqja e shkuar e opozitës, e cila në asnjë rrethanë nuk dha shembullin dhe nuk priu për të ngjallur shpresën dhe besimin tek qytetarët shqiptarë. Kjo kohë merr fund. Ju e patë, një protestë e thirrur në 48 orë. Herë tjetër program protestash. Asgjë nuk do na pengojë për të zbuluar të gjitha lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin”, tha ai.

Po cili është qëllimi i tij final? Ja çfarë deklaroi Berisha për “News24” e “BalkanWeb”:
“Cilido të jetë drejtimi i PD atë e përcaktojnë anëtarët e saj. Një gjë është e sigurt, që sot PD e rithemeluar në vlerat e saj, është një shumicë e jashtëzakonshme, është grupacioni më i lirë i kësaj toke që nuk e përkul dot dhe nuk e mposht dot asgjë. Është revolucion i pandalshëm”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb