*Berisha: Ja pse vendosa të kem një përgjigje standarde për çdo pyetje të Ballës
TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur pasditen e sotme në Komisionin Hetimor për CEZ, por qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar aspak nga ai i mbledhjes së kaluar. Madje ai duket edhe më i vendosur, për t’i dhënë një përgjigje të vetme kryetarit të Komisionit, deputetit socialist Taulant Balla, duke e etiketuar si shpifës.

Pavarësisht morisë së pyetjeve të drejtuara nga Balla, ish-kryeministri ka patur një përgjigje të vetme: “Shpifësi është i pafytyrë siç je ti”.

Berisha ia ka ripërmendur akuzat deputetit socialist Taulant Balla që prej fillimit të mbledhjes së sotme të komisionit. Ai është shprehur se nuk mund t’i japë përgjigje pyetjeve të bëra nga një shpifës.

Ish-kryeministri tha se nëse Komisioni do të drejtohej nga një person tjetër, dhe jo nga balla, do të paraqiste fakte dhe të dhëna interesante lidhur me çështjen CEZ.

PJESE NGA DEBATI
Balla: A mendoni z.dëshmitar se ka qenë shkelje ligjore që keni emërtuar një këshilltare tuajën të merren me këtë çështje?
Berisha: Je shpifës i dënuar me vendim të formës së prerë.
Balla: Më duket se shpifës jeni ju me çdo gjë që po thoni në këtë seancë. Po mbani përgjegjësi për çdo gjë që thoni.
Berisha: Shpifës i ndyrë.
Balla: A ka qenë Kastriot Ismailaj personi që ka realizuar këtë takim?
Berisha: Shpifësi është i pafytyrë si ti.
Balla: A është e vërtetë se Ismailaj është i afërmi juaj.
Berisha: Shpifësi është i pafytyrë siç je ti.
Balla: Se kush është shpifësi këtu dihet. A e njihni Elvis Mataj?
Berisha: Shpifësi nuk meriton asnjë përgjigje.
Balla: A ishte i punësuar tek ju vëllai i Elvis Matajt?
Berisha: Shpifësi meriton vetëm përçmim dhe neveri,
Balla: A ka ndikuar tek ju vëllai i tij.
Berisha: Shpifësi është vetëm shpifës.
Balla: A ka ndikuar Ismailaj, Mataj në nxjerrjen e VKM për rishpërndarjen e fondeve brenda buxhetit 2011?
Berisha: Shpifësi s’meriton asgjë.

Në përfundim të mbledhjes së Komisionit hetimor për CEZ, ish-kryeministri ka folur për gazetarët, duke shprehur qëndrimin e tij, lidhur me akuzat e bëra nga Taulant Ballës. Berisha ka sqaruar se pas çdo pyetje të deputetit socialist, ai kishte një përgjigje të vetme, duke e akuzuar atë si “shpifës”.

“Po në këtë vend ju deklarova se ai që kryeson komisionin është një shpifës ordiner i dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës, nenin e shpifjes së ndryrë, me 10 mln lekë dëmtim. Dhe është konflikt interesi. Të paktën 5 herë brenda në sallë tha se nuk jam dënuar asnjëherë, duke dëshmuar se i urdhëruar nga Rama është i aftë të pështyjë, të nxijë, të denigrojë veten, si një njeri që nuk është rritur në këtë tokë, që nuk ka familje, që nuk ka miq, nuk ka nder, dinjitet, nuk ka asgjë. Kjo u faktua.

Nëse shërbimet e Kuvendit do vendosnin që pavarësisht nga Kodi i Procedurës Penale, i cili është i qartë për përjashtmin e konfliktit të interesit, në rast se ato do të vendosnin në këtë mënyrë, unë do e miratoj. Sot në orën 2, kryetari i Parlamentit ka larë duart në mënyrë të padrejtë, dhe ka thënë këtë vendim ta marrë komisionit. Në komision këta kishin shumicën, dhe unë bëra një vendim, thashë të vij, dhe çdo fjale të tij t’ia përplas akuzat shpifës dhe i pafytyrë. Çdo njeri që del para shqiptarëve dhe thotë 5 herë s’jam i dënuar, nuk është normale. Duhet të kërkonte falje. Ndaj edhe siç e dëgjuat në çdo pyetje pati një përgjigje standarde.

Nga ana tjetër dua të falënderoj komisionin që më dha mundësinë për të bërë një ekspoze të gjerë të vjedhjeve të Ramës. Ma dha mundësinë të kem një audiencë të madhe për aferat korruptive të tij, të kësaj Qeverie, çka përbënte për mua një detyrim, të shprehja para shqiptarëve mendimet e mia.

Ndjeva keqardhje në fund se nuk u lejuan gazetarët të bëjnë pyetje. Mendoj se në këto seanca nuk ka absolutisht asnjë humbje, përkundrazi, duhet të mundësohen pyetjet e gazetarëve të cilët të ndjekin me orë të tëra. Por siç e dini, Ramën e ka kapur tmerri nga portalet dhe mediat. Imagjinonin një njeri me fiksime që kishte në krah kancelaren e Gjermanisë dhe thoshte mediat e portalet. Nuk e kishte mendjen tek kancelarja, por tek mediat”, tha Berisha.

Erdhi policia t’ju merrte me forcë? A u trembët nga kjo?
Absolutisht jo. Është një gënjeshtër. Seç ka bërë saje Qorri me çunat e krimit është tjetër gjë. Unë prita qëndrimin e kryetarit të Parlamentit, dhe ata ia kaluan komisionit. Këta vendosën ën krye një mendër shpifës. Unë nuk kam qenë në shtëpi, kam qenë në zyrë. A kanë shkuar në shtëpinë time, unë nuk e di. Nuk kam qenë aty.

Berisha e keni bërë ju këtë rregullore për moslejimin e pyetjeve të gazetarëve. A duhet ët propozoni ndryshime?
Ky është një komision ndryshe. Është një komision hetimor, një komision pyetjesh. Komisionet e zakonshme janë tjetër gjë. Lloj rregullore që e pengon këtë nuk ka. Çfarë nuk pengohet me ligj, pranohet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb