TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar marrëveshjen Rama-Basha të arritur më 18 maj për zgjidhjen e ngërçit politik dhe futjen e opozitës në zgjedhje. Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili në “News24”, Berisha thotë se arritja e marrëveshjes ishte një meritë personale e Ramës, pasi ai rrezikonte të hynte në histori si kryeministri që zhvillonte zgjedhje moniste.

“Arritja e marrëveshjes ishte një meritë personale e Ramës. Shpëtoi atë që mundi. Nuk hyri në histori si njeriu që do bënte zgjedhje moniste, çka do ishte për të damkosja më e madhe që mund t’i bënte vetes personalisht. Në mënyrë të papritur ai mori kthesën, dhe këtu ka një arritje personale. Ai shpëtoi nga humnera drejt së cilës po ecte me shpejtësi. Në rast se politikisht fitoi udhëheqësi i revolucionit demokratik, i çadrës së lirisë, personalisht fitoi Rama, i cili momentin më të fundit vendosi të madhe një kthesë. E mori se i treguar karton të kuq. E mori sepse e kuptoi se një kryeministër nuk mund të shkojë drejt zgjedhjeve moniste”, tha Berisha.

Sipas Berishës, për të arritur marrëveshjen pati lëshime nga të dy palët, duke shtuar se edhe përfitimet prej saj ishin edhe për mazhorancën dhe për opozitën.

Ish-kryeministri thotë se marrëveshja e arritur ishte gati dyfishi i paketës McAllister, ndërsa komenton edhe datën e zgjedhjeve.

Berisha thotë se nuk ishte dakord që zgjedhjet të mbaheshin në korrik, dhe dakordimi për 25 qershorin sipas tij ishte një datë e përshtatshme.

“Ka patur lëshime nga të dy palët. Të gjithë njerëzit duhet ta kenë të qartë se në kushte paqeje nuk mund të ketë një marrëveshje ku një palë i merr të gjitha e një palë i humbet të gjitha. Është e vërtetë që Rama mbeti kryeministër, që zgjedhjet nuk u shtynë më tej, por është e vërtetë që paketa McAllistër u dyfishua. Unë ua quaj meritë që e pranuan datën e zgjedhjeve në qershor, unë nuk isha dakord për korrikun, pasi njerëzit janë të shpërndarë”, tha Berisha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: