Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha se akuzat ndaj kryetarit të PD-së Sali Berisha janë të motivuara politikisht, me qëllim asgjësimin e opozitës.
Sipas Metës, po goditet lideri i Partisë Demokratike, në mënyrë të shkohet drejt asgjësimit të partive opozitare.
“Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit për të marrë të pandehur pa prova, fakte dhe pa dokumente liderin historik të PD, profesor doktor Sali Berishën nuk është gjë tjetër veçse një akuzë politike e diktuar nga Edi Rama në funksion të axhendës së tij elektorale me qëllim asgjësimin me cdo mjet të opozitës dhe të pluralizimit politik”, tha Meta.
Ilir Meta: Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale mercenare, SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit, për të marrë të pandehur pa prova, pa dëshmi, pa fakte dhe pa dokumente, liderin historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha nuk është gjë tjetër veçse një akuzë e mirëfilltë politike e diktuar dhe e paracaktuar nga Edi Rama, në funksion të axhendës së tij elektorale, me qëllim asgjësimin me çdo mjet të opozitës, të demokracisë dhe të pluralizmit politik.
Shërbimi i verbër që SPAK-u po i bën Narkoshtetit duke goditur drejtuesit e opozitës dhe mbrojtur hapur korrupsionin skizofrenik dhe lidhjet e tmerrshme kriminale të Edi Ramës është një poshtërim flagrant i sistemit të drejtësisë dhe integritetit të tij, si edhe një tradhti kombëtare ndaj Shqipërisë që ka nevojë ulëritëse për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta.
Është ky SPAK që as nuk guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës, jo vetëm për çështjen e Sali Berishës por edhe për shumë çështje të tjera ku firmat e tij janë hedhur mbi afera kriminale.
Sali Berisha është nën arrest me pretendimin se ka nisur procesin e privatizimit të “Klubit Partizani” dhe ka ndryshuar destinacionin ndërkohë dokumentet zyrtare provojnë se privatizimi është nisur nga Qeveria socialiste kurse ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv në truall ndërtimi është bërë nga Edi Rama, që nuk përmendet fare në dosjen e stisur.
Në rastin e ndërrimit të destinacionit të “Klubit Partizani” ku shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë, SPAK ka anashkaluar të gjitha vendimmarrjet e bashkisë së Edi Ramës dhe ka shkuar drejt e tek Sali Berisha, i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese e kishte të ndaluar t’i ndryshonte ato.
Ndërsa për analogji në rastin e inceneratorëve ku dëmi llogaritet në qindra miliona euro dhe pagesat për një shërbim që nuk kryhet vazhdojnë normalisht, Dumani, vegla qorre e Edi Ramës në krye të SPAK, në vend që të hetojë, akuzojë dhe arrestojë Edi Ramën, që në kundërshtim me ligjin dhe qëndrimin kundër të dy ministrave i dha bonusin kompanisë së paregjistruar, ka arrestuar një drejtor bashkie bedel që ka bërë propozimin për dhënien e bonusit.
Ky vendim pa asnjë baze ligjore ndaj Sali Berishës në vitin elektoral përfshirë izolimin dhe pamundësimin e aktivitetit të tij si lider i Partisë Demokratike dhe si deputet, është dëshmi e qartë se SPAK nën drejtimin e Dumanit është shndërruar në një “vrasës me pagesë” më i egër dhe më i padenjë se vetë Nuredini, duke u vënë totalisht në shërbim të zgjatjes së jetës së Narkoshtetit dhe mbrojtjes me çdo mjet të korrupsionit skizofrenik dhe lidhjeve të tmerrshme kriminale të Edi Ramës, Erion Veliaj, Engjëll Agaçit dhe të gjithë bandës së “Rilindjes”.
(Balkanweb)