Pas vendimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për përjashtimin nga grupi parlamentar të ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi ky i fundit u shpall non grata nga SHBA, vjen një reagim nga ambasada Amerikane në Tiranë.

Ambasada e SHBA ka përgëzuar për vendimin Bashën, ndërsa thekson se PD-ja ka guximin të shkëputet nga e kaluara për të ndërtuar të ardhmen.

REAGIMI I AMBASADES SE SHBA
Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

VENDIMI I BASHES
Mbrëmë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, deri në zbardhjen e plotë të vendimit të DASH, e ku të sqarohet e gjithë e vërteta. Basha tha se PD është partia më proamerikane dhe më proevropiane duke folur dhe për vendimin e DASH për ish-kryeministrin dhe ish-kreun e PD Sali Berisha si dhe kërkesën e ambasadores amerikane Yuri Kim. Nga ana tjetër, dje në një dalje për mediat Berisha konfirmoi pjesëmarrjen e tij në Kuvend.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb